Pas djegies së rreth 2 hektarë pyje në pyjet e Semanit, prefekti i Qarkut të Fierit Baki Bala deklaron se situata është nën kontroll. Ai thotë se të gjitha forcat zjarrfikëse, emergjencat civile, institucionet vendore janë duke punuar për stabilizimin e situatës.
Si pasojë e zjarrit janë shkrumbuar krejtësisht dy katet e poshtme të bimësisë, shkurret dhe barishtoret por fatmirësisht dëmi në kurorat e pishave ka qenë i pakët.
Sipas emergjencave civile të Fierit zjarri është konstatuar në orën 5 të mëngjesit dhe menjëherë ka nisur puna për shuarjen e tij. Erërat detare dhe i nxehti kanë ndihmuar në përhapjen e zjarrit me shpejtësi.
Ndonëse thotë se nuk është ende e qartë se si ka nisur zjarri, Prefekti Bala iu ka bërë edhe një apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm.