Shqipëria, Bordi i Paqes, Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit dhe Grupi i Punës për Gazën kanë finalizuar zyrtarisht Marrëveshjen e Pjesëmarrjes së Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF).
Në njoftimin e publikuar nga Bordi i Paqes dhe i shpërndarë nga Ambasada Amerikane në “X” thuhet se Shqipëria do të ofrojë mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe kapacitete për planifikimin e operacioneve në kuadër të misionit në Gaza.
Kontributi i saj i shtohet atyre të Marokut dhe Kosovës dhe do të jetë thelbësor për përshpejtimin e misionit në fushat e qeverisjes, sigurisë, përpjekjeve humanitare, shtetit të së drejtës dhe rindërtimit.
“Republika e Shqipërisë tashmë ka kontribuar në përpjekjet e Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për të çuar përpara Planin Gjithëpërfshirës të Presidentit Trump për Paqen në Gaza. Tashmë, Shqipëria e ka zyrtarizuar mbështetjen e saj për misionin e ISF-së përmes legjislacionit kombëtar. Oficerët shqiptarë të ndërlidhjes pritet të dislokohen në rajon muajin e ardhshëm.
Bordi i Paqes dhe Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit shprehin mirënjohjen e tyre të thellë ndaj Republikës së Shqipërisë për angazhimin e saj të fortë dhe të palëkundur në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme”, thuhet në njoftim.


