Gazetari investigativ Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Pjaca” me Alfred Pezën, foli edhe për rastin “Aruba”, duke zbuluar detaje që, sipas tij, i ka mësuar nga hetimet belge dhe nga persona që kanë qenë të pranishëm në takim.
“Kam qenë në Miami dhe kam folur me ata që kanë qenë në Aruba. Pasi u zhvillua takimi, unë bëra publikimin në media. Më pas ata që kishin qenë të pranishëm më ftuan dhe më thanë të ma sqaronin saktë se çfarë ishte diskutuar.”
Hoxha tregoi se ishte marrë në pyetje nga autoritetet belge në kuadër të dosjes “Toyota Auris”.
“Këtë e mora vesh nga prokuroria belge. Jam thirrur të dëshmoja për dosjen ‘Toyota Auris’. Herën e parë dëshmova dy orë, herën e dytë gjashtë orë. Njëri nga hetuesit më dha informacion për të parë nëse i njihja këta persona.”
Sipas tij, takimi në Aruba nuk ishte organizuar për trafik droge, por për mundësi investimi.
“Aruba u zgjodh sepse është një ishull argëtimi, ku shkojnë pronarë kazinosh dhe frekuentues të këtyre resorteve. Një pjesë e personave nga Europa nuk mund të udhëtonin në SHBA, ndaj u zgjodh një vend i ndërmjetëm. Ata nuk e dinin që autoritetet belge po i përgjonin.”
Gazetari theksoi se në takim është diskutuar kryesisht për investime në turizëm.
“Nuk ka qenë një takim për narkotrafik. Është biseduar për të bërë biznes, kryesisht në turizëm.”
Artan Hoxha përmendi edhe emrin e Artur Shehut, për të cilin tha se prezantoi projekte investimi.
“Artur Shehu ishte prezent. Ai u ka thënë se kishte një projekt shumë të madh dhe se, kur të niste, ata mund të futeshin si blerës.Sazani është një flluskë e madhe. Infrastruktura nuk të lejon dhe kostot për zhvillimin e tij janë shumë të larta.”


