Në fshatin Drenie të Fierit edhe sot vijon të jetë aktiv zjarri i cili nuk po kursen pyllin me pisha. Aktualisht në vendngjarje ndodhet reparti i zjarrfikëses së Patosit, i cili po mundohet të vendosë në kontroll flakët.
Zjarri në këtë zonë të Fierit vijon prej katër ditësh, ndërsa fillimisht ishte në pyllin e Roskovecit, ndërsa dje në pyllin me pisha ndërmjet Patosit, Mallakastrës.
Me qëllimin për të bërë shuarjen e tij Ministria e Mbrojtjes ndërhyri dje me një helikopter ‘Cougar’, i cili u mundua të fikte flakët, por pavarësisht këtij fakti sot zjarri vijon të jetë aktiv në Drenie.
Nga vendngjarja raportohet se zjarri është me intensitet të lartë, ndërsa forcat zjarrfikëse të Patosit e kanë shumë të vështirë për të ndërhyrë për shkak të terrenit të thepisur. Shefi Mzsh Patos Alket Halimi thotë ‘se situata është shumë e vështirë dhe se tymi rrezikon asfiksimin e zjarrfikësve’.


