Trafikimi i klandestinëve kundrejt shuma të mëdha parash duket një fenomen që nuk ka të ndalur në Shqipëri. Vetëm para pak muajsh, u godit nje grup i madh njerëzish ku u arrestuan 39 persona kundrejt akuzave të drejtpërdrejta dhe role të paracaktuara.
Po sot u arrestuan 9 persona nga Shkodra të cilët trafikonin drejt Anglisë dhe SHBA, të cilat duken dhe destinacionet e “preferuara” të këtyre grupeve.
Vlen të përmendet fakti se protagonist në disa prej tyre kanë qënë edhe efektivë policie, të cilët duket se i lehtësonin punën anëtarëve të tjerë nëpërmjet lidhjeve që kishin.
Çfarë ndodhi sot:
Gazmend Garupi
Policia e Shkodrës ka goditur një grup që trafikonte klandestinë shqiptarë në SHBA dhe Angli duke arrestuar 9 persona, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.
Gazmend Garupi, 44 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Shkodër, i cili ishte në rolin kryesor, atë të organizatorit të grupit kriminal.
Grupi kriminal trafikonte emigrantët përmes falsifikimit të pasaportave, kartave të identitetit italiane dhe greke, viza, leje drejtimi, karta studenti etj. dhe nga përdorimi i tyre mundësohej kalimi për në Angli dhe SHBA. Ata merrnin 8-12 mijë euro për një person për ta dërguar ilegalisht në Angli dhe SHBA.
Ato gjithashtu realizonte martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë nëpër zyra të ndryshme të Gjendjes civile të Shqipërisë për t’u pajisur me dokumente, ndërsa më pas i shoqëronin deri në destinacionin final. Rruga që ndiqnin personat ishte nga Shqipëria, (Sicili)-Itali, – Maltë – Angli, si dhe nëpërmjet një rruge tjetër Shqipëri – Kosovë – Kroaci – Itali – Maltë – Angli – SHBA. Kreu i grupit ishte Gazmend Garupi, ndërsa Sotiraq Antoni dhe Haxhi Ramadani ishin bashkëpunëtorë.
Haxhi Ramadani në rolin e bashkëpunëtorit dhe djali i tij Bledjan Ramadani në rolin e ndihmësit
Rastet:
39 të arrestuarit për trafikun njerëzor drejt SHBA, Kanada e Anglisë
Një grup i specializuar në falsifikimin e vizave për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britani, është goditur në Maj të këtij viti.
Mësohet se 39 të arrestuarit ishin të shpërndarë në pesë grupe kryesore. Kështu, krerët e grupeve ishin Nik Bushi, Fuat Zaimi, Ardian Corri, Eno Muçollari dhe Luan Qyrku. Këta të pestë kishin rolet organizative të grupeve që trafikonin klandestinë kryesisht nga Shqipëria drejt Britanisë, Kanadasë dhe SHBA-ve. Emrat e tyre nuk janë të panjohur për drejtësinë shqiptare.
Disa prej tyre kanë qenë të dënuar më parë për të njëjtën vepër penale dhe janë mbikëqyrur nga autoritetet. Sipas burimeve, shumat që paguanin emigrantët për kalimin e kufijve silleshin nga 7 mijë dollarë deri në 12 mijë dollarë, në varësi të shtetit ku kërkonin të shkonin. Fillimisht, të akuzuarit siguronin pasaporta të huaja, të cilat falsifikoheshin përmes një punishteje të jashtëligjshme që ndodhej te zona e “Kodrës së Diellit”.
Grupet kriminale shqiptare bashkëpunonin edhe me shtetas të huaj, kryesisht bullgarë, të cilët prisnin dhe sistemonin emigrantët në vendet transite. Hetimet për këto grupe vazhdojnë ende, pasi dyshohet se pjesëtarët janë edhe më shumë.
Një nga personat që kishte rol drejtues e organizativ në trafikimin e klandestinëve drejt SHBA-ve dhe Kanadasë është edhe biznesmeni 47-vjeçar nga Kruja, Ardian Corri.
Ardian Corri
Corri është arrestuar rreth 10 vite më parë, më 21 janar të vitit 2008, gjatë një operacioni të Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Krimit të Organizuar, të koduar “Klandestini”.
20 mijë euro, 17 persona të arrestuar
Bëhet fjalë për grupin prej 17 anëtarësh që trafikonin emigrantë drejt SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, duke përdorur viza të falsifikuara.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka pasur në përgjim anëtarët e grupit që nga viti 2016. Komunikimet mes tyre bëheshin kryesisht përmes aplikacioneve “Whatsapp” dhe “Viber”, por nuk mungojnë edhe telefonatat.
Pjesë e grupit të falsifikatorëve ishte edhe efektivja e Policisë, Entela Çala, e cila u la nga Gjykata e Krimeve të Rënda në masën “arrest shtëpie”.
Konkretisht, Çala ka kryer veprime të paligjshme duke fshirë nga regjistrat elektronikë gjobat e disa prej anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.
Skema si funksiononte grupi kriminal
Alfred Myrtaj, Marjo Myrtaj, Albert Xhelilaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin falsifikime të dokumenteve si letërnjoftime, pasaporta, viza, duke pajisur persona të ndryshëm kundrejt përfitimit monetar dhe material. Nëpërmjet linjave ajrore dhe linjave të tjera të udhëtimit, ky grup transportonte njerëz në shtete të ndryshme, kryesisht: SHBA, Kanada dhe Mbretëri e Bashkuar.
Ilir Myrtaj, Alfred Myrtaj, Marjo Myrtaj, Albert Xhelilaj, Gentjan Stojku, Florjan Hysenaj, Entela Çala, Keldi Beshi, Arben Kadiu, Ismail Alushani, Ylli Gokaj, Aleksandër Leka, Shkëlqim Mema, Qazim Hysko, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal siguronin persona, të cilët kishin interes për të udhëtuar në shtetet e përshkruara më sipër, shtetas shqiptarë dhe të huaj.
7 Mijë euro për të kaluar kufirin
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, kanë goditur një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore, mes tyre edhe një punonjës policie.
SHÇBA kishte regjistruar një procedim penal mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shtetasve shqiptare dhe të huaj, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë e Maqedonisë në mënyrë ilegale, mes tyre me destinacion final Francën për azil kërkim.
Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të identifikohej dhe dokumentohej ky aktivitet kriminal.
Artan Ceno, 44 vjeç, punonjës policie me detyrë kontrollor në pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, Korçë;
Majlinda Seiti, 52 vjeçe, lindur e banuese në Korçë;
Adriano Kocoli, 52 vjeç, lindur e banues në Korçë.
Kundrejt pagesave që varionin nga 6 në 7 mijë euro për person, grupi i dyshuar, krijonte kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj, qytetarë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova, në kundërshtim me ligjin, me destinacion Francën për azil kërkim.
Shqiptari që trafikoi 8 persona:
Një trafikant shqiptar që u përpoq të kalonte kanalin midis Francës dhe Anglisë, në kushte një të ftohti të madh, me tetë persona në një anije
Çfarë ndodhi:
I arrestuari është 40-vjeçari Afrim Xhekaliu, si pjesë e bandës së trafikantëve të cilët u arrestuan në Kanalin Britanik, pasi po tentonin të fusnin në këtë shtet 9 emigrantë shqiptarë të jashtëligjshëm.
Xhekaliu, i cili jeton në Britani, ishte një prej të arrestuarve të së mërkurës në brigjet e Kent, ku autoritetet i erdhën në ndihmë 9 personave, të cilët u gjendën në vështirësi teksa transportoheshin me një gomone.
40-vjeçari ishte një prej 3 personave të arrestuar. Një prej tyre, sipas BBC, po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa për të tretin nuk janë ngritur ende akuzat.
Autoritetet britanike thanë se në gomone ndodheshin 8 burra dhe 1 grua, të cilët i thanë ekipeve të shpëtimit se ishin të gjithë nga Shqipëria.
Xhekaliu mohon shkeljet e ligjit të emigracionit duke përfshirë lehtësimin e sjelljes së paligjshme të të tjerëve në Mbretërinë e Bashkuar.
/AlpeNews.al










