Niveli i lartë i papunësisë, pagat e ulta, korrupsioni dhe mungesa e mundësive për të avancuar në karrierë po shkakton emigrimin drejt Evropës të shumë të rinjve të arsimuar nga vendet e Ballkanit. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim largimit të trurit dhe pasojave të tij në vendet e Ballkanit.
Marina Stevanov kurrë nuk kishte menduar se do ta linte vendin e saj, Serbinë pasi të diplomohej shkëlqyeshëm për mjekësi. Tani, mjekja 25-vjeçare po paketon diplomën, librat dhe një fjalor gjermanisht për të shkuar në Austri, ku një spital i ka ofruar punë dhe një specializim në kirurgjinë vaskulare. Ajo nuk ka në plan të kthehet. Gjendja e jo e mirë ekonomike dhe korrupsioni ka kufizuar mundësitë e shumë të rinjve në vendet e Ballkanit, duke nxitur shumë prej tyre që të emigrojnë në Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara ose vendet e Gjirit.
Ikja masive e të rinjve të arsimuar i vë në pozitë edhe më të vështirë vendet e Ballkanit, me një popullsi gjithnjë e më pak të arsimuar dhe më të moshuar.
Bosnja radhitet e 135-ta nga 137 vende për nga “aftësia për të mbajtur njerëzit e talentuar” në Raportin Global të Konkurrencës 2017-2018. Serbia radhitet e 134 dhe Kroacia e 131.
“Kolegët e mi që punojnë këtu janë të mërzitur, nuk janë aspak të kënaqur. Ata nuk kanë kohë ose para për familjen dhe për një jetë normale dhe ky është problem i madh”, thotë Marina.
Numri i mjekëve dhe infermierëve në Serbi ka rënë mjaft, duke shkaktuar frikë se sistemi shëndetësor tashmë i rënduar mund të shkatërrohet. Pagat për mjekët e rinj në spitalet publike janë rreth 600 euro në muaj.
Ata që ikin janë mjekët me fat. Në vitin 2007, 27,000 njerëz të arsimuar ikën nga Serbia.
Vetëm shtatë vjet më vonë, ky numër u dyfishua në 58,000, sipas të dhënave zyrtare.
Serbia, ka bërë shumë pak për të ndalur këtë prirje, përveç disa thirrjeve për patriotizëm.
“Unë ju lutem që të qëndroni në Serbinë tonë të bukur”, tha presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiç kohët fundit në një ceremoni të shpërndarjes së bursave për studentët më të mirë.
Në Kroacinë fqinje, shkalla e papunësisë mes të rinjve ka arritur në 35 për qind.
Por të rinjtë kanë patur më shumë mundësi që nga viti 2013, kur Kroacia u bë anëtare e Bashkimit Evropian. Kroatët tani mund të aplikojnë për punë në vendet e tjera të BE-së pa patur nevojë për viza ose leje pune.
Sipas statitikave zyrtare të qeverisë rreth 40,000 kroatë janë larguar nga vendi çdo vit që kur Kroacia hyri në BE. Profesori i Universitetit të Zagrebit, Stjepan Sterc vlerëson se në fakt numri i të larguarve është dy herë më i lartë dhe se shumica e tyre janë të rinj.
Bosnja, vendi që ishte skenë e një lufte të përgjakshme civile gjatë viteve 1990, ka nivelin më të lartë të papunësisë mes të rinjve. Sipas Bankës Botërore, rreth 54 për qind e të rinjve në Bosnje janë të papunë, duke i detyruar ata të kërkojnë punë në vende të tjera.
Mersudin Mahmutbegovic, kreu i qendrës Alfabet, që ndihmon të rinjtë e arsimuar nga Bosnia të gjejnë punë jashtë, thotë se qeveria boshnjake nuk ka bërë asgjë për të zgjidhur këtë problem.
“Mendoj se vendi nuk ofron shumë dhe nuk bën shumë për të rinjtë që të qëndrojnë në Bosnje, ndërsa ne u ofrojmë atyre një vend pune”, thotë ai.
Shumica e të rinjve të arsimuar nga vendet e Ballkanit, të cilët arrijnë të gjejnë punë jashtë, nuk bëjnë plane për një kthim të mundshëm.