Të paktën 27 persona humbën jetën dhe mbi 60 të tjerë mbetën të plagosur, tetë prej të cilëve në gjendje kritike, si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu një bar në lagjen Chatuchak të Bangkokut, në orët e para të kësaj të hëne (13 korrik). Sipas dëshmitarëve, flakët shpërthyen pranë skenës së lokalit dhe u përhapën me shpejtësi, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike dhe duke mbushur ambientin me tym të dendur.
Zjarrfikësit arritën në vendngjarje menjëherë pas mesnatës dhe vunë flakët nën kontroll brenda rreth 30 minutash. Shumica e viktimave u gjetën në tualetin e lokalit, ku dyshohet se ishin strehuar për t’i shpëtuar zjarrit. Hetimet paraprake tregojnë se shumica kanë humbur jetën nga thithja e tymit.
Autoritetet dyshojnë se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner, megjithatë shkaku zyrtar ende nuk është konfirmuar. Guvernatori i Bangkokut, Chatchart Sittipunt, deklaroi se materialet e ndezshme të përdorura në tavan mund të kenë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, ndërsa po hetohet edhe mundësia që daljet e emergjencës të kenë qenë të bllokuara.
Kryeministri Anutin Charnvirakul, i cili vizitoi vendin e ngjarjes, tha se një muzikant që po performonte në momentin e shpërthimit të zjarrit i kishte rrëfyer se u dëgjuan shpërthime dhe më pas të gjithë u përpoqën të largoheshin nga tymi dhe flakët, por shumë persona mbetën të bllokuar në pjesën e pasme të ndërtesës.
Ngjarja rikthen në vëmendje problemet e vazhdueshme të sigurisë nga zjarri në Tajlandë. Pavarësisht premtimeve të autoriteteve për forcimin e standardeve pas tragjedive të mëparshme, vendi ka regjistruar disa zjarre vdekjeprurëse në vitet e fundit, përfshirë zjarrin në një klub nate në Bangkok në vitin 2009, ku humbën jetën 66 persona, si dhe një tjetër në vitin 2022 që shkaktoi 22 viktima.


