Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish diktatorit Enver Hoxha, feston sot 99 vjetorin e lindjes.
Në një intervitë për gazetën Dita, Nexhmija tregon për jetën e saj pas vdekjes së Enverit.
” Ditët dhe muajt pa Enverin kalonin, por në mendje dhe në zemër unë ndjeja praninë e tij në çdo hap. Kishim kaluar bashkë afro gjysmë shekulli, një jetë të tërë. Ndaj nuk mund ta largoja nga mendja për asnjë çast. Sidomos kur gjendesha vetëm në shtëpi, qëndroja pranë portreteve të tij, bisedoja me të, dëgjoja fjalët e tij, ndiqja mendimet e tij dhe kjo sikur ma hiqte vetminë. Kështu, duke jetuar me kujtimet e Enverit e ndjeja veten më të lehtësuar”, shprehet Hoxha.
Nexhmije Hoxha ka botuar gjithashtu edhe një libër me 530 faqe, ku tregon për historitë e kaluara, me një përpikmëri habitëse.
Në këtë libër autorja mbron maksimalisht figurën e të shoqit, njësoj siç bëjnë edhe fëmijët e saj, për të cilin thotë se nuk ka patur asnjë gabim.
Hoxha kujton edhe vizitat e shumta që priste në shtëpi pas vdekjes së Enverit, sa u detyrua të kërkonte që mos të kishte më vizita.
Me nostalgji ajo kujton fëmijët që i ndejtën afër, duke ia bërë më të lehtë dhimbjen.
“Gjithashtu, ma lehtësuan dhimbjen sidomos fëmijët e mi, të cilët më qëndruan pranë dhe më ndihmuan të kapërceja vështirësinë e madhe që kisha sidomos kur kthehesha nga puna dhe nuk po mësohesha dot me vendin bosh në tryezën e bukës, në studio, në dhomën e gjumit. Ata nuk më lanë kurrë vetëm. Ilaç u bënë për mua ato ditë sidomos të shtatë nipërit e mbesat, me të cilët kaloja kohë, duke bërë çmos që t’u plotësoja atë boshllëk që u kishte lënë gjyshi.
Në atë periudhë shumë të vështirë për mua, ndjeva sikur Enveri më erdhi pranë edhe ngaqë u zhvilluan njëra pas tjetrës disa veprimtari në kujtim të jetës dhe të veprës së tij. Shtysë për këtë u bë edhe botimi i librit të Ramiz Alisë, “Enveri ynë”, i cili u prit mirë dhe rreth tij u organizuan biseda dhe konferenca”, kujton ajo.
Vitet kalojnë, por Nexhmije Hoxha vazhdon të mbetet njësoj, me një memorie për tu patur zili, por edhe me një bindje të madhe, se ai që shqiptarët e quajnë diktator, nuk ishte i tillë, por një njeri i mirë që bëri gjithçka për të mirën e shqiptarëve.
Hoxha ndoshta ka shumë histori që nuk i ka treguar akoma, të cilat mund të hedhin dritë mbi ngjarje ende të pazbardhura, që me shumë mundësi, nuk do t’i tregojë kurrë.
E ndërsa Nexhmije Hoxha i afrohet një shekulli jetë, pyetjet që që i drejtohen janë të shumta.


