Gjykata Kushtetuese ka caktuar 24 nëntorin si ditën kur do të shqyrtojë një tjetër ankesë për sekuestrimin e telefonave nga akuza e posaçme.
Pas kazusit të gazetarit Elton Qyno dhe Onejda Ymerit, ku Gjykata Kushtetuese i vendosi kufi SPAK-ut për të mos bllokuar telefona pa vendim gjykate dhe për të ruajtur proporcionalitetin, çështja e radhës lidhet me Ajola Xoxën, bashkëshorte e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në kalendarin e publikuar nga kjo gjykatë thuhet se Ajola Xoxa dhe shoqëria Partners Law kërkojnë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të gjykatave më të ulëta.
Konkretisht, të Gjykatës së Posaçme, Shkalla e Parë, datë 20 dhjetor 2024, të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, datë 19 shkurt 2025 dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, 22 maj 2025.
Të trija këto vendime rrëzuan kërkesat e paditësve, përfshi edhe Ajola Xoxën, e cila këmbënguli kthimin e telefonit dhe të shkresave, që SPAK i kishte bllokuar në kulmin e hetimeve të dhjetorit 2024, një çështje në të cilën Erjon Veliaj është i pandehur. Paditësit pretenduan se kontrollet e asaj kohe prej Byrosë Kombëtare të Hetimit kishin ndodhur në shkelje të ligjit.
Por pretendimet u rrëzuan dhe tashmë në seancë plenare, mbi bazën e dokumenteve, ku edhe SPAK do të paraqesë prapësime konkrete, gjyqtarët do ulen sërish në sallën e madhe për të vlerësuar mënyrën se si SPAK kreu kontrolle dhe sekuestroi telefona gjatë katër viteve të fundit.
Më herët, për kazusin Qyno, Kushtetuesja vlerësoi se thirrja e gazetarit në SPAK për të treguar burimet dhe sekuestrimi i pajisjeve ka kufizuar lirinë e shprehjes.
Ndërsa në rastin Ymeri, Kushtetuesja deklaroi se korrespondenca dhe të dhënat personale mbrohen nga Kushtetuta dhe se Prokuroria e Posaçme nuk mund të kontrollonte të gjitha të dhënat në telefon pa pasur vendimmarrje të gjykatës.


