49.9% e gjermanëve janë në favor të zgjedhjeve të reja në vend pas dështimit të negociatave qeveri-formuese, ndërkohë që 1/5 mbështesin krijimin e një qeverie pakice.
Janë këto të dhënat e një sondazhi të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shkencave të Aplikuara për të përditshmen gjermane Bild.
Sipas sondazhit, 48.5% e të anketuarve mendojnë se Social-Demokratët e qendrës së djathtë kanë të drejtë që përjashtojnë mundësinë e një koalicioni me konservatorët e Merkel, kombinim që mbështetet vetëm nga 18% e gjermanëve.
Dështimi i bisedimeve mes bllokut të udhëhequr nga Merkel, Demokratëve të Lirë pro-biznesit dhe ambjentalistëve të Gjelbër e ka çuar Gjermaninë në një pasiguri politike dhe ka shtuar perspektivën e zgjedhjeve të reja. Lidhur me dështimin e negociatave, sondazhi tregon se 28% e të anketuarve fajësojnë liderin e Demokratëve të Lirë Christian Lindner, ndjekur nga 27% që fajësojnë zonjën Merkel.
4 nga 10 persona të anketuar mendojnë se Merkel duhet të rikandidojë për postin e kancelares, ndërkohë që 24% preferojnë një tjetër kandidat nga rradhët e Kristian-Demokratëve, edhe pse ka pak konsensus për një emër konkret. Sidoqoftë, sondazhi tregon se zgjedhjet e reja do të sillnin pak ndryshim të rezultateve të arritura në votimet e shtatorit.


