Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën ndaj Bujar Kuçit, i cili në nëntor të vitit të shkuar vrau nipin e tij me thikë. Gjykata dëgjoi tri dëshmi, ndërsa vetë i pandehuri pranoi krimin, por tha se e kishte bërë për vetëmbrojtje
“Unë e vrava nipin, por e kam bërë për vetëmbrojtje”, kështu u shpreh i pandehuri Bujar Kuçi dje, përballë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ngjarja ka ndodhur vitin 2017, ndërsa arsyeja është fare banale, sipas prokurorisë, gjithë sherri ka nisur për një qen. Ndërkohë, dje përballë gjykatës, dolën edhe tre dëshmitarë të akuzës, vëllai i të pandehurit, babai i viktimës, Faik Kuçi, vëllai i tjetër i Faikut, Mehmet Kuçi dhe bashkëshortja e tij, Suzana Kuçi. Ndërkohë, seanca është zhvilluar mes tensionesh, ndërsa babai i viktimës, pësoi një krizë emocionale, duke lënë dëshminë përgjysmë. Nga ana tjetër, gjatë dëshmisë së tij, i pandehuri, Bujar Kuçi, i ka kërkuar gjykatës të largohet dhe të mos dëgjoj rrëfimin e të vëllait, kërkesë që u pranua nga gjykata. Dëshmia e babait të viktimës së ndjerë, ishte e mbushur me inat, ndërsa thotë para gjykatës, së tashmë e ka armik dhe jo vëlla Bujar Kuçin. Dëshmitari tjetër nuk dha shumë detaje, pasi pretendon se nuk ishte i pranishëm, por tregoi fjalën e parë që i kishte thënë Faiku, pas ngjarjes. Mehmeti tha se kishte qenë në gjumë dhe pasi ka shkuar atje, Faiku i ka thëne “ma vrau pijaneci”. Mehmeti gjithashtu tha, se vëllai i tij, i pandehuri Bujar Kuçi pinte ndonjëherë.


