Për disa mund të duket një shifër e lartë, por vetë Interpol në faqen zyrtare publikon se në të gjithë Evropën janë plot 7311 persona me siglën “sinjal i kuq”, nga të cilët 116 janë shqiptarë. Të gjithë këta persona janë të akuzuar, ose të dënuar për krime të ndryshme dhe kërkohen nga Drejtësi të vendeve të ndryshme.
Për të kërkuarit shqiptarë, një pjesë rezultojnë të jenë shpallur në kërkim ndërkombëtar jo vetëm për llogari të vendit tonë, por edhe të vende të tjera ku ata dyshohet se kanë kryer krime.
Në listën e Interpol, Shqipëria kryeson të gjithë vendet e tjera të Europës, duke qenë para Bosnjes me 99 persona të shpallur në kërkim, Bullgarisë me 50 persona, Rumanisë me 48 dhe Francës me 28 persona në kërkim. Vendet e tjera vazhdojnë të listohen me më pak.
Tre shtete europiane, siç janë Islanda, Irlanda dhe Luksemburgu rezultojnë me nga vetëm 1 person të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Çdo person i listuar në faqen e Interpol, ka një njoftim të kuq shoqëruar me foton, e cila sipas kësaj organizate është një kërkesë e zbatimit të ligjit në të gjithë botën, për të gjetur dhe arrestuar përkohësisht një person në pritje të ekstradimit, dorëzimit ose një veprimi juridik i ngjashëm.
Një tjetër listë me persona të shpallur në kërkim, është ajo e policisë së shtetit shqiptar, me rreth 690 persona, mbi të cilët rëndojnë akuza për krime të ndryshme, nga vjedhjet e deri të vrasjet.
Për shkak të vështirësisë që policia ka hasur në identifikimin dhe vendndodhjen e personave të shpallur në kërkim, shpesh i është kërkuar ndihmë edhe qytetarëve, nëpërmjet publikimi të listave dhe fotove të këtyre personave edhe në rrjetet sociale. Një pjesë e tyre rezultojnë të jenë edhe pa foto, ç’ka identifikimin e bën edhe më të vështirë duke pasur vetëm gjeneralitetet. Nga personat të shpallur në kërkim nga policia shqiptare për vepra penale të rënda dhe dënime ende të pashlyera 13 prej tyre janë femra.


