Shmangia e burokracive dhe rritja e cilësisë së shërbimeve të garantuara në kohë të shpejtë, është misioni i sporteleve të ADISA-s, Agjencisë që mundëson shërbime publike të integruara në sportele unike.
Në një intervistë për ERTV-në, Drejtori i Përgjithshëm i kësaj Agjencie, Lorin Ymeri tha se vetëm në vitin 2018 janë plot 265 mijë qytetarë që kanë marrë shërbime publike në zyrat e ADISA-s. Aktualisht zyrat ADISA ndodhen në 5 bashki, Fier, Tiranë, Kavajë, Gjirokastër, Krujë dhe ndërkohë ka një plan konkret për zgjerimin e tyre në territor. “Qëndra e integruar ADISA, brenda 2 javëve çelet në Bashkinë Shkodër ku do mundësohen shërbimet e një sërë institucionesh qëndrore por edhe vendore. Kemi filluar këtë javë punimet për hapjen e një zyre të dytë në Tiranë, njësia administrative nr. 6, brenda muajit Qershor. Brenda vitit 2018 synojmë hapjen në Elbasan dhe Lushnje. Është miratuar në këshillin e ministrave vendimi për fillimin e punës në qytetin e Lushnjes. Synojmë të shtrihemi në të gjitha bashkitë e vendit brenda vitit 2021”, tha Ymeri.
Forma e dytë e zgjerimit të ADISA-s është inkorporimi i sporteleve të ADISA-s në zyrat me një ndalesë të Bashkive të mesme dhe të vogla. “Ne e e kemi filluar këtë mënyrë shfaqjeje me Bashkinë e Maliqit në nëntor 2018 dhe para dy javësh e kemi vazhduar me bashkinë e Belshit. Brenda javës tjetër pritet ta inagurojmë zyrën me një ndalesë, ADISA, në Bashkinë e Patosit dhe brenda muajit prill dhe maj kemi parashikuar 3 zyra, në Divjakë, Malësinë e Madhe dhe të Vaut të Dejës. Brenda vitit synojmë të shfaqemi në Librazhd, Përmet dhe Tepelenë”, tha Drejtori i ADISA-s. Vetëm për vitin 2018 në 5 qendrat e integruara ADISA, janë shfaqur 265 mijë qytetarë për të marrë shërbime publike.


