Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe këtë mbrëmje me marshimin e protestuesve në rrugën “Myslym Shyri”, në kuadër të ditës së 61-të të mobilizimit.
Pas tubimit në sheshin “Skënderbej”, qytetarët u drejtuan drejt një prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur thirrje kundër qeverisë.
Gjatë marshimit në rrugën “Myslym Shyri”, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisje, ndërsa kanë përsëritur slogane si “Dorëheqje”, “Rama ik” dhe “Atdheu është i yni, jo biznes privat”.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se mobilizimi nuk do të ndalet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.


