Shqipëria ka nisur zyrtarisht procedurat për t’u bërë pjesë e misionit ndërkombëtar të stabilitetit në Gaza. Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin që hap rrugën për angazhimin e Forcave të Armatosura shqiptare në këtë operacion, ndërsa dokumenti do t’i dërgohet Kuvendit për miratim me procedurë të përshpejtuar.
Projektligji parashikon që numri maksimal i efektivëve shqiptarë në mision të jetë 40 ushtarakë.
Misioni i tyre do të përfshijë mbështetjen e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtjen e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, mbështetjen e operacioneve humanitare, si dhe monitorimin e raportimin e situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se kontingjenti shqiptar do të nisë fillimisht me katër oficerë shtabi. Pas dislokimit të tyre do të përcaktohet numri përfundimtar i trupave që do të dërgohen në Gaza, si edhe vendndodhja ku do të vendosen.
Projektligji parashikon gjithashtu që ushtarakët pjesëmarrës të përfitojnë, përveç pagës mujore, edhe dieta për ditët e qëndrimit në mision, sipas një vendimi të veçantë të Këshillit të Ministrave.
Sipas qeverisë, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë operacion do të zhvillohet në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit.
“Republika e Shqipërisë do të ketë një përfaqësi në Gaza duke filluar fillimisht me katër oficerë shtabi. Me vajtjen e këtyre katër oficerëve të shtabit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese do të vlerësohet më pas edhe kush do të jetë niveli konkret i trupave që do të dërgohen në Gaza, duke përfshirë këtu edhe vendndodhjen konkrete ku këto trupa do të dislokohen”, u shpreh ministri.
V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË FORCËS NDËRKOMBËTARE TË STABILITETIT, NË GAZA”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË FORCËS NDËRKOMBËTARE TË STABILITETIT, NË GAZA
Në mbështetje të neneve 12, pika 3, 78 dhe 83, pikat 1 dhe 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza.
Neni 2
Numri maksimal i personelit, që do të marrë pjesë në këtë operacion, do të jetë 40 (dyzet) vetë.
Neni 3
Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza, do të jetë mbështetja e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtja e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, mbështetja e operacioneve humanitare, monitorimi dhe raportimi i situatës së sigurisë si dhe detyra të tjera, në përputhje me mandatin e misionit, në kuadër të Bordit të Paqes.
Neni 4
Ushtarakët pjesëmarrës në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza, përveç pagës mujore, përfitojnë dieta për ditët e qëndrimit në operacion, në masën që do të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


