Ministria e Drejtësisë kërkon informacion zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme për procesin gjyqësor të Bledar Jambellit, personit që porositi vrasjen e komisarit Artan Cuku.
Etilda Gjonaj përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar informacion mbi procesin e gjykimit të Bledar Jambellit dhe nëse autoritetet gjyqësore greke kanë nisur ndaj tij procedim apo jo. Kjo kërkesë për Bledar Jambellin vjen pasi autoritetet shqiptare duan të ridërgojnë kërkesë ekstradimi në Greqi.
Kujtojmë që kryekomisari Artan Cuku u vra nga dora e krimit në 8 prill 2017, në rrugën e Kosovarëve në Tiranë, aty dhe ku banonte. Porositësi i vrasjes së tij është Bledar Jambelli, i arrestuar po ashtu në Greqi. Ndërkaq, është arrestuar më herët vrasësi Mikel Shallari, i cili po vuan dënimin.
Mikel Shallari i ka treguar hetuseve se Jambelli ka paguar për vrasjen e kryepolicit pasi është arrestuar në 2012 nga Cuku, kohë kur mbante postin e Drejtorit të Policisë së Vlorës. Jambelli pagoi 3 mijë euro Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun, ndërkohë që 22 mijë euro do t’ia jepte pas kryerjes së vrasjes.
Gjithashtu, në pranga ka rënë dhe Kristaq Leci. Ky i fundit është personi që ndërmjetësoi mes porositësit dhe vrasësit të Cukut.


