Katër të rinj kishin lënë takim në një qendër tregtare në Tiranë, ku aty do të shkëmbenin kanabis. Por takimi i planifikuar nuk u ka shkuar ashtu siç ata e kishin menduar, pasi janë kapur mat nga Policia e Tiranës.
Në momentin që ishin gati për të shkëmbyer 16.2 kg kanabis, në parkingun e një qendre tregtare në Tiranë, policia ka ndërhyrë duke bërë arrestimin e tyre. Siç shihet edhe në këto pamje, të rinjtë e kishin futur kanabisin në thasë të zinj në bagazhin e makinës, ndërsa vihet re edhe momenti i arrestimit, ku shtrihen në tokë nga uniformat blu.
Në kuadër të operacionit ‘Lokacioni’, kanë rënë në pranga Demokrat Dylgjeri, 32 vjeç, Haziz Zylfa, 23 vjeç, Vladimir Kani, 23 vjeç, dhe Hyxhers Mete, 23 vjeç.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Lokacioni”.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta shtetas janë kapur në flagrancë, në parkingun e një qendre tregtare në periferi të Tiranës, duke shkëmbyer 2 qese plastike brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 16.2 kg”, njofton policia.
Lënda narkotike është sekuestruar, ndërsa gjatë kontrollit të banesës së 23-vjeçarit Mete, policia ka sekuestruar edhe 90 gramë kokainë. Po ashtu janë sekuestruar edhe 5 celularë e para. Blutë e kryeqytetit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


