30-vjeçari nga Shkodra Fadil Likaj, ka dalë sot para Gjykatës së Vlorës për plagosjen e të dashurës së tij 20-vjeçare me armë zjarri, pasi nuk pranonte ndarjen. 30-vjeçari akuzohet për “vrasje e mbetur në tentativë ndaj dy ose më shumë personave” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa do të jetë Enkel Peza, gjyqtari që do të gjykojë çështjen. Prokurori i çështjes Klodian Llahja ka kërkuar arrest me burg për të riun.
Si ndodhi ngjarja? 30-vjeçari nga Shkodra, Fasil Likaj i kishte kërkuar takim 20-vjeçares në një lokal në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, pasi nuk pranonte të ndahej dhe donte që të sqaroheshin. Për sqarimin i riu ka marrë me vetë edhe një pistoletë dhe dy granata dore, të cilat nuk k nguruar që t’i përdorte kur e pa se gjërat nuk po shkonin ashtu siç i mendonte.
Pas një sherri me 20-vjeçaren Kostandina Zanaj, e ka tërhequr atë zvarrë nga lokali dhe e ka nxjerrë jashtë ku e ka qëlluar me armë zjarri në këmbë, fatmirësisht e reja është jashtë rreziku për jetën. Pas ngjarjes atij i ka rënë edhe një granatë në lokal por që fatmirësisht nuk ka shpërthyer, ndërsa granata e dytë iu gjet nga policia në çantën që mbante me vete.
Në dëshminë e tij 30-vjeçari tha se kishte qëllim vetëm ta trembte dhe jo ta lëndonte të renë.”Tentova ta trembja. Nuk doja që ta qëlloja”, mësohet të ketë thënë ai përpara uniformave blu, e ndërsa nga sa mësohet ka shfaqur një gjendje të rënduar psikologike.


