Në inboxin e Revistës Shije kupton se diversiteti i ndjekësve tanë është i pafundmë. Kupton dhe mëson sesi disa familje shqiptare, që për arsye nga më të ndryshmet zgjodhën të jetonin përtej kufijve, morën me vete traditat, e sidomos kur vjen puna tek nevoja më themelore e njëriut: Të ushqyerit!
I tillë është rasti që Shije vendosi të ketë nën lupë sot.
Zonja Natasha ra nën gjurmët tona, pasi fotot që identifikonin më së miri pasionin për ushqimin e rritur në natyrë, nuk mund të kalonin pa u vënë re. Fanatike e çdo perimeje jeshile apo shumëngjyrëshe, frutave dhe turshive, është shembulli i ndjekur nga ajo.
Origjina e saj është nga Lushnja, por padiskutim 22 vitet në Itali e kanë nxitur të ketë me vete një copëz Shqipërie! E kush më mirë se vendi ynë përgatit që në verë, ato zahiretë e dimrit? Ku mund ta gjesh tjetër shijen e fasuleve, turshive, specave djegës, spinaqit, çikores sikurse vetëm në vendin tonë?
Por nëse dëshira dhe vullneti nuk mungon, të gjitha këto mund ti marësh me vete kudo që je. N.Xh pohon se kontribut në gjithë këtë “pasuri të vogël” ka edhe familja punëtore e bashkëshortit të saj, përmes së cilit ajo mësoi shumë gjëra.
Më poshtë po ju rendisim disa nga perimet që ajo rrit në baçen e saj me një sipërfaqe relativisht të vogël, prej rreth 60 metrash katrorë, por ajo shfrytëzon gjithashtu edhe kopshtin e saj plot vreshta dhe ullinj, me një sipërfaqe prej 500 metrash katrorë, të cilat për hir të së vërtetës plotësojmë vetëm nevojat e familjes së tyre.
Në këtë periudhë rriten:
- Shkarola (gati e ngjashme me spinaqin)
- Rrepa e kuqe
- Lulelakra
- Spinaqi
- Çikoria
- Finokio
- Patatja e kuqe
- Preshi
- Batha
- Bizele
- Karciofi
Patëllxhanët turshi dhe fasulet e konservuara për tu ngrënë në dimër, nuk mungojnë në listën e gjatë të ushqimeve që ajo rrit. Kësaj liste i shtohen edhe dy rrënjë manaferra, pa harruar komposton e pjeshkës.
“Pak e lodhshme, por krenare për punën që bëj. Me shumë kënaqësi shpërndava me ju disa momente të punës sime, që mua më pëlqen shumë”, shprehet Natasha plot modesti!
Ky udhëtim, ndonëse virtualisht, në një nga shtëpitë ku tradicionalja ulet këmbëkryq, na jep një mësim të madh: Më jep dëshirën, të të jap identitetin. Rrugëtim që nuk ndalet asnjëherë./shije


