Në një deklaratë për mediat, kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja ka deklaruar se, prokurori i përgjithshëm i përkohshëm do të jetë ushtruesi i detyrës deri në krijimin e KLP-së, si organi i ngarkuar nga Kushtetuta për të bërë zgjedhjen e prokurorit të ri.
“Duhet të jetë prokuror, pra pjesë e sistemit. Duhet të ketë mbi 15 vjet dhe të ketë mbaruar ose Magjistraturën ose të ketë gradë, dua të veçoj se këto të dyja të fundit nuk është domosdoshmëri të ketë mbaruar Magjistraturën, mjafton të ketë gradë, ose mjafton të ketë mbaruar Magjistraturën. Do të kalojë procesin e vettingut pasi te jetë emëruar. Ne do të bëjmë publike listën e kandidatëve për këtë detyrë dhe menjëherë siç e planifikon vendimi do të përcaktojmë datën dhe orën e seancës dëgjimore me të gjithë kandidatët. Pastaj komisioni ka edhe dy ditë të tjera kohë për të bërë një vlerësim të kritereve dhe të meritës për secilin nga kandidatët që do të jenë pjesë e kësaj gare”, tha deputeti Manja.
Ai ka saktësuar se dy kriteret e fundit kandidati nuk duhet t’i ketë të dyja njëkohësisht. “Duhet të ketë 15 vjet punë dhe shkollën, ose 15 vjet punë dhe gradën. Sistemi ynë ka të tillë prokurorë dhe unë jam besimplotë se do të kemi”, ka thënë Manja.


