Në emisionin “Në Shënjestër”, të gazetares Klodiana Lala, u trajtua profili i biznesmenit Ermal Beqiri, i cili u arrestua në Francë ndërsa ishte në kërkim në Shqipëri për çështjen e tenderave të AKSHI-t. Dokumentari rindërton incidentin e fluturimit të tij me avion të lehtë pranë centralit bërthamor të Penly-t, ndërhyrjen e autoriteteve franceze dhe identifikimin e tij.
Materiali sjell gjithashtu të dhënat e referuara nga SPAK dhe autoritetet franceze për pasuritë e Beqirit në Francë, përfshirë llogaritë bankare, apartamentet dhe kështjellën Château d’Auteuil, për të cilën dokumentari përmend një vlerë transaksioni prej 2.612.200 eurosh.
Pjesë nga dokumentari:
Por kush është Ermal Beqiri?!
Cila është lidhja e tij me Ergys Agasin?
Dhe si mundi ai të përfitojë miliona euro nga AKSHI?
Personazhi që ndërsa ishte shpallur në kërkim në Shqipëri, fluturonte i lirë mbi qiellin francez, duke pilotuar një avion të vogël.
Por që mesa duket një gabim i tij në pilotim e kishte drejtuar mbi centralin bërthamor të Penly në Seine-Maritime.
Çka kishte sjellë për pasojë alarmimin e autoriteteve franceze, të cilët e kishin urdhëruar të zbriste në tokë.
Ku ajo që e shtoi edhe më shumë vëmendjen ndaj këtij avioni të çuditshëm që po bënte një fluturim jo të zakontë mbi një qendër të rëndësishme bërthamore,
ishte edhe fakti se termocentrali Penly është po kështu vendi i ndërtimit të EPR-2 të ardhshëm.
Një çift reaktorësh bërthamorë të gjeneratës së ardhshme, për të cilët ka një interes në nivel botëror.
Grafikë – Autoritetet franceze
‘Ndërsa fluturonte në një lartësi prej 3 700 këmbësh (afërsisht 1 200 metrash), piloti papritmas uli hundën e avionit në 3 500 këmbë, një lartësi nën limitin ligjor për fluturim mbi vende të ndjeshme’.
Por me të zbritur në tokë, dhe pas verifikimit të kryer, pavarësisht justifikimit të tij se kishte humbur drejtimin e avionit, pasi sipas tij po fliste me nënën në telefon, u kuptua se drejtuesi i avionit nuk ishte thjesht një pilot profesionist që posedonte një patentë për drejtimin e këtyre avionëve, por edhe një i shumëkërkuar në vendin e tij të origjinës, në Shqipëri.
Grafikë – Mediat franceze
Penly nuk është një central bërthamor i zakonshëm. Ai është zgjedhur nga shteti francez dhe kompania shtetërore EDF si vendi ku do të ndërtohen dy reaktorët e parë EPR2, pjesë e programit kombëtar për gjashtë reaktorë të rinj bërthamorë, që do të ngrihen gjithashtu në Gravelines dhe Bugey.
Projekti konsiderohet një nga investimet më të mëdha strategjike të Francës në dekadat e fundit dhe synon të vendosë në funksion reaktorin e parë në horizontin e vitit 2038.
Sipas dokumenteve dhe njoftimeve zyrtare të EDF, Penly është sot kantieri i parë i programit EPR2,
ku tashmë kanë nisur punimet përgatitore, investimet infrastrukturore dhe mobilizimi i mijëra punonjësve.
Projekti konsiderohet një nga kantieret industriale më të mëdha në Europë dhe një element kyç i strategjisë franceze për sigurinë energjetike.
Pikërisht ky status strategjik shpjegon edhe reagimin e menjëhershëm të autoriteteve franceze ndaj fluturimit të paautorizuar mbi central.
Dy avionë ushtarakë të xhandarmërisë franceze e detyruan Beqirin të ulej në aerodromin e Albert-it.
Piloti do të identifikohej si Ermal Beqiri, një emër që për francezët nuk kishte ndonjë rëndësi, por në Shqipëri ishte personi i dytë më i kërkuar në vend.
Dhe që ishte në hetim për dosjen e AKSHI-t.
Ose i njohur ndryshe edhe si krahu i djathtë i Ergys Agasit.
Ermal Beqiri, që e konsideronte veten zot në qiell, por që ishte i shumëkërkuar në tokën e tij.
Që kishte mundur që me paratë e fituara nga AKSHI, të krijonte një jetë përrallore.
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë, ku fshihej.
Aty ku thuhet se krahas jahteve luksoze, avionëve të lehtë civilë, apo jetës me verëra të shtrenjta, kishte blerë edhe një kështjellë.
Një jetë luksi e cila nuk kishte sesi të ishte më pak e ndryshme nga ajo e kumbarit të tij, Ergys Agasi.
I cili edhe ky kishte një kompleks vilash me pishina në periferi të Tiranës.
Ku gjatë kontrollit në një nga vendstrehimet e tij, atij iu gjetën verëra të shtrenjta në vlerën 3 milion euro.
Verëra të cilat më pas çuditërisht u zhdukën ndërsa duhet të ruheshin nga policia.
Ermal Beqiri që në Shqipëri krah vilave, llogarive bankare, dhe makinave luksoze, posedonte edhe një jaht me vlerë 1 milion euro të quajtur ‘Skyfall’.
Por që duket se jeta luksoze në Shqipëri i rrinte disi ngushtë.
Për këtë arsye ai kishte menduar të investonte edhe jashtë Shqipërisë.
Ku del se kishte blerë edhe një kështjellë vetëm një orë larg Parisit.
Pikërisht këtë këtu, në departamentin Oise.
Kështjellën Chateau d’Auteuil.
Një kështjellë me një stil imponues e ndërtuar në shekullin e 16-të, e rrethuar nga një hendek, si dhe gjurmë të themeleve të kështjellës së vjetër të shkatërruar.
Chateau d’Auteuil e cila u rindërtua ‘pothuajse tërësisht’ në vitin 1858, pothuajse në mënyrë identike dhe mbi bazat e ndërtesës së vjetër origjinale.
Një ndërtesë e cila në vitin 2003, u restaurua nga Pol dhe Sabine de La Pintière, të cilët e blenë këtë kështjellë dhe ndërmorën një punë të madhe për ta rikthyer atë në pamjen e saj të mëparshme.
Ku që atëherë, 70% e 35 dhomave janë restauruar, duke respektuar historinë.
Por që ende është e paqartë se si Ermal Beqiri, emri i të cilit del edhe te rubrika ‘Mentions légales’, mundi ta bëjë të vetën këtë kështjellë.
Pa lënë mënjanë faktin që paratë nuk i mungonin.
Grafikë – SPAK
Ermal Beqirit iu zbulua një ‘llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, si dhe u evidentua blerja e një kështjelle Chateau d’Auteuil, një rezidencë historike në komunën Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro, mjete motorike etj.
Fakti që kështjella është blerë nga Ermal Beqiri, konfirmohet edhe nga vetë autoritetet franceze, që bëjnë me dije se vlera e transaksionit është 2 612 200 euro.
Transaksion i cili thuhet se është regjistruar në regjistrin e pronave të paluajtshme në Francë më 30 dhjetor 2024.
Ku shkruhet se Chateau d’Auteuil u shit për 2 612 200 euro.
Grafikë – SPAK
Më datë 5 Dhjetor 2025, SPAK ka regjistruar emrin e shtetasit Ermal Beqiri, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, për kryerjen e veprave penale ‘Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës’, ‘Heqja e paligjshme e lirisë’, ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal.
Hetimet fillestare sugjeronin se Ermal Beqiri, ndodhej në Francë, gjë që përputhej me informacionin e dhënë nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK-ut.
Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, si edhe u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj,
Më datë 24 korrik 2026, shtetasi Ermal Beqiri u arrestua nga autoritetet ligjzbatuese franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme).
Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Republikës së Shqipërisë.


