Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj ka ngritur dyshime mbi certifikatat e pastërtisë të figurës së personave që duan të kandidojnë për funksione shtetërore të dhëna nga komisionet e njohura si Mezini apo dhe Bezhani
Në fjalën e saj në komisionin e Ligjeve, teksa po diskutohen nismat e PS-PD për hapjen e dosjeve, Felaj u shpreh:
“Përbërja e komisionit ishte e tillë që këta persona vinin nga qeveria, dhe nga cdo njëri ministër i vecantë. S’ka garanci ligjore që të na bëjë ne të besojmë që ajo ka qenë zgjidhja e rruga e duhur për të ndjekur, për të përjashtuar ish funksionarë të sigurimit nga kandidimi në funksionet shtetërore. Ka ardhur koha që të jemi të hapur ndaj të shkuarës duke mos lejuar më që këto mund të jenë përdorur për shantazh, për t’u mbrojtur”.
Felaj tha se ndryshimi i një neni në ligjin për Autoritetin e Dosjeve vjen pasi në verën e këtij viti “Autoriteti na ka vënë në dispozicion pamundësinë e hedhjes dritë të dosjes që mendohet se janë verifikuar nga ish komisionet e mëparshme Mezini dhe Bezhani’.
“Nuk është etike, morale e në nderin e deputetëve të këtij Kuvendi, të këtij brezi politikanësh që të fshihen pas klauzolave të tilla që i gjej pa vend e ka ardhur koha të jemi të gjithë bashkë për heqjen e paragrafit 4 të nenit 29 të ligjit”, tha Felaj.


