Në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, ministri i Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha u takua me homologun e tij grek, George Gerapetritis, ku në fokus të bisedimeve ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dy ministrat rikonfirmuan angazhimin për të ruajtur dialogun konstruktiv dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve. Ata diskutuan gjithashtu për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, sfidat rajonale dhe nevojën për një Europë më të sigurt e më të bashkuar.
Hoxha vlerësoi mbështetjen e Greqisë për rrugën europiane të Shqipërisë, ndërsa theksoi se zgjerimi i BE-së, i bazuar në meritë dhe reforma, është i rëndësishëm jo vetëm për vendet aspirante, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.
Gjatë bisedës, ministri shqiptar nënvizoi se dy vendet, si aleate në NATO dhe fqinjë me lidhje të forta historike, ekonomike e njerëzore, ndajnë interesa të përbashkëta për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të zhvilluar.
Në përfundim, Ferit Hoxha shprehu dëshirën për të pritur në Shqipëri homologun grek në një vizitë të ardhshme, me qëllim vijimin e dialogut dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.


