Drejtori i Pergjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka deklaruar së fundmi se arrestimi i 2 personave në Kukës, ditën e djeshme, të cilët u kapën në flagerancë teksa trafikonin armë zjarridrejt vendit tonë nga Kosova, është tregues i bashkëpunimit të ngushtë me policinë e kësaj të fundit.
“Shpreh falënderimin dhe vlerësimin maksimal për strukturat e Policisë së Kukësit, për efektivët e patrullës, të Shqiponjave dhe specialistët e hetimit, të cilët, me profesionalizëm dhe angazhim të lartë, goditën një rast të trafikimit të armëve të zjarrit në sasi të mëdha, duke sekuestruar 8 armë zjarri të llojit pistoletë dhe vunë në pranga dy shtetas nga Kosova.
Policia e Shtetit është e përfshirë maksimalisht në veprime parandaluese, hetimore dhe operacionale, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë, për të luftuar krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti.
Ndërsa ne punojmë për sigurinë tuaj, ju ftoj të qëndroni pranë Policisë, të bashkëpunoni dhe të jeni pjesë e kësaj fryme të re të besimit dhe respektit reciprok.
Së bashku, do të forcojmë edhe më shumë sigurinë, duke përmirësuar më tej imazhin e Shqipërisë, e cila është dhe mbetet një vend i sigurt dhe mikpritës, për të gjithë vizitorët dhe turistët nga mbarë bota që zgjedhin të vijnë dhe të njohin bukuritë tona.
Faleminderit strukturave të Policisë për profesionalizmin dhe angazhimin maksimal, edhe në këto ditë shumë të nxehta.
Faleminderit qytetarëve që dita-ditës besojnë gjithnjë e më shumë te Policia e Shtetit.
Mesazhi im është i qartë: Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme”,- shprehet Proda.


