Pak ditë më parë prindërit e një fëmije me autizëm denoncuan në polici, se djali i tyre 12-vjeç ishte dhunuar fizikisht në qendrën e rehabilitimit ‘Unë jam si ju’ dhe ishte lënë pa ngrënë.
Pas denoncimit, nga i ati F. Boci 54-vjeç, prindërit tregojnë shenjat e dhunës në trupin e djalit, ndërsa akuzojnë qendrën në Berat.
Punonjësja e qendrës fillimisht shprehet se ato nuk janë shenja dhune, ndërkohë që prindërit e akuzojnë se fëmija ka edhe një javë pa ngrënë. Ata tentojnë që të kontaktojnë me drejtoreshën, por ajo e ka të mbyllur telefonin.
Qendra shtetërore e rehabilitimit të fëmijëve me aftësi ndryshe ‘Unë jam si ju’ ndodhet pas spitalit të Beratit, ndërsa punonjësit kanë mohuar denoncimin e prindërve të fëmijës për dhunë.
Denoncimi i prindërve, shenjat e dhunës në trupin e 12-vjeçarit
Debati mes punonjëses dhe prindërve të fëmijës
Prindërit: Djali ka qenë në spital dje, i merren mend, nuk ka fuqi. Djalin po e marrim të vrarë dhe pa ngrënë. Na sill letrën tani, ta firmosim.
Punonjësja: Dje më thanë se hëngri dhe e nxori, ka pirë vetëm ujë.
Prindërit: Po si nuk njoftohet njeri? Doktori me leje është?
Punonjësja: Ai nuk ka qenë sëmurë, mbase hëngri shumë byrek, një e gjysmë dhe e ka nxjerrë
Prindërit: Djalin e mora të vrarë dhe pa ngrënë gjithë javën
Punonjësja: Fillimisht nuk hapte gojën, ai filloi njëherë, pastaj, por..
Prindërit: Je nënë ti apo jo?! Fëmija pa ngrënë, këtë javë që nuk erdhëm shiko si është katandisur. Drejtoresha thotë ju e shqetësoni se vini shpesh, por ja kur nuk erdhëm ne, çfarë ndodhi!!!
Njoftimi i policisë së Beratit
Më datë 03.09.2018, shtetasi F.B., vjeç 54, banues në Berat, ka bërë kallëzim se në ambientet e një qendre rehabilitimi është dhunuar fizikisht djali, shtetasi A.B., vjeç 12. Materialet u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat. Neni 90 i Kodit Penal


