Dy të rinj nga Komuna e Rahovecit, Leart Morina dhe Berhan Zeka, janë mes tre viktimave të një aksidenti të rëndë trafiku të ndodhur të dielën pasdite në Gjermani.
Aksidenti u regjistrua në autostradën B311, pranë qytetit Erbach, në distriktin Alb-Donau, ku u përfshinë nëntë automjete. Sipas policisë gjermane, në vendngjarje humbën jetën dy drejtues mjetesh, përkatësisht 18 dhe 19 vjeç, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar, i cili kishte marrë plagë të rënda, ndërroi jetë më vonë në spital.
Një tjetër pasagjere, gjithashtu 26 vjeçe, mbeti e plagosur, por deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje për gjendjen e saj shëndetësore. Dy persona të tjerë pësuan lëndime të lehta.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar humbi kontrollin e automjetit gjatë një parakalimi me shpejtësi të lartë, në segmentin rrugor mes Dellmensingen dhe Donaurieden. Fillimisht, makina u përplas me disa automjete të tjera dhe më pas doli në korsinë e kundërt, ku u përplas ballë për ballë me një automjet që po vinte përballë.
Përplasja shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa njëra prej makinave u shkatërrua pothuajse plotësisht. Në vendngjarje ndërhynë ekipe të shumta të emergjencës dhe u angazhua edhe një ekspert për të ndihmuar në përcaktimin e dinamikës dhe shkaqeve të aksidentit.
Policia gjermane ka vijuar marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e tragjedisë. Segmenti i rrugës B311 mes Dellmensingen dhe Donaurieden u mbajt i mbyllur të hënën për shkak të pastrimit të vendit të aksidentit.


