Policia e Fierit ka gjetur dhe sekuestruar 3 automjete të vjedhura në Mallakastër e Divjakë. Automjetet u gjetën në zonën e Fushë-Mamurrasit në Kurbin dhe në Borizanë të Krujës. Sipas autoriteteve, makinat do të përdoreshin në ngjarje kriminale.
Konkretisht në fazën e parë të operacionit të koduar “Hijet e Natës”, u zbardhën 5 raste të vjedhjes së automjeteve dhe u vu në pranga njëri prej autorëve dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se vidhnin automjete për t’i përdorur në ngjarje kriminale. Dy prej tyre ishin vjedhur në Mallakastër më 13 nëntor, ndërsa tjetra më 13 shtator në Divjakë. Policia ka sekuestruar automjetet si dhe disa sende që lidhen me hetimin.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses faza e dytë e operacionit policor të koduar “Hijet e Natës”.
Gjenden dhe sekuestrohen 3 automjete të vjedhura, si dhe sende të tjera me interes për hetimin.
Gjatë fazës së parë të operacionit u zbardhën 5 raste të vjedhjes së automjeteve, u vu në pranga njëri prej autorëve dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se vidhnin automjete për t’i përdorur në ngjarje kriminale.
Në vijim të një pune intensive hetimore, të ndjekur pa ndërprerje dhe të shoqëruar me veprime të koordinuara operacionale, strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Hijet e Natës”.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe kontrolleve të ushtruara në terren, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i 3 automjeteve të vjedhura.
Nga hetimet rezulton se 2 prej automjeteve janë vjedhur më datë 13.11.2026, në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë më datë 13.09.2026, në Divjakë.
Automjetet u gjetën në zonën e Fushë-Mamurrasit, në Kurbin, dhe në Borizanë, Krujë, ku dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.
Gjatë veprimeve policore u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu sende të tjera me interes për hetimin, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjeve.
Strukturat e DVP Fier vijojnë intensivisht hetimet dhe veprimet operacionale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe kapjen e autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim.


