jë shumë prej vetëm 5 eurosh dyshohet se u bë shkak për një krim të rëndë në Spanjë, ku humbi jetën shqiptari Artjol Ramaj. I riu ishte zhdukur në mars të vitit 2023, ndërsa pas më shumë se tre vitesh hetime, çështja pritet të shqyrtohet nga një trupë gjyqësore me juri. Prokuroria ka kërkuar 22 vite e 5 muaj burg për 52-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Riudarenes, në provincën e Gironës, ku Ramaj jetonte prej fundit të vitit 2022 me të dyshuarin, i njohur me nofkën “El Seco”. Të dy kujdeseshin për një plantacion kanabisi në pronën ku banonin.
Artjol Ramaj u zhduk në mbrëmjen e 2 marsit 2023. Disa ditë më vonë, një person i njohur i tij iu drejtua policisë katalanase, pasi ishte shqetësuar për mungesën e shqiptarit. Ai kishte treguar gjithashtu se marrëdhëniet mes Ramajt dhe bashkëbanuesit të tij ishin përkeqësuar dhe se mes tyre kishte pasur konflikte të vazhdueshme.
Rreth një muaj e gjysmë më vonë, më 17 prill, një person që po shëtiste qenin zbuloi mbetje kockore në një zonë të pyllëzuar pranë kompleksit rezidencial Can Fornaca, jo shumë larg banesës ku jetonin dy personat. Më pas, mbetjet u lidhën me zhdukjen e shqiptarit.
Sipas versionit të Prokurorisë, 52-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar Ramajn teksa ky i fundit ndodhej i shtrirë në shtrat. Shkak për përplasjen përfundimtare mendohet të ketë qenë një shumë prej 5 eurosh, që i dyshuari pretendonte se shqiptari ia kishte marrë.
Hetuesit dyshojnë se viktima është dhunuar rëndë dhe ka pësuar dëmtime në kokë, të cilat mund t’i kenë shkaktuar vdekjen. Më pas, trupi dyshohet se është transportuar dhe braktisur në pyll, ku kafshët e egra dhe qentë kanë shpërndarë mbetjet, duke vështirësuar edhe punën e ekspertëve.
Në zonën ku u gjetën eshtrat u zbuluan sende të ndryshme me njolla gjaku, mes tyre një peshqir, jastëk, mbulesë jorgani dhe qilim. Gjurmë gjaku u konstatuan edhe në dhomën e gjumit të shqiptarit, në një furgon që dyshohet se është përdorur për transportimin e trupit, si dhe në një palë pantallona të gjetura në lavatriçen e banesës. Pranë mbetjeve u gjet edhe një thikë.
Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar të eshtrave dhe shpërndarjes së tyre, ekspertët nuk kanë mundur të përcaktojnë të gjitha dëmtimet që kishte pësuar i riu.
Nga ana tjetër, 52-vjeçari i mohon akuzat. Mbrojtja pretendon se dosja mbështetet vetëm në prova rrethanore dhe se gjurmët e gjakut të gjetura në banesë dhe automjet nuk përbëjnë prova të drejtpërdrejta për autorësinë e vrasjes. Avokatja e tij ka kërkuar pushimin e çështjes.
Pas përfundimit të hetimeve paraprake, gjykata në Santa Coloma de Farners ka vendosur që dosja të kalojë për gjykim me juri.
Përveç dënimit prej 22 vitesh e 5 muajsh burg për vrasjen, Prokuroria kërkon edhe pesë muaj të tjerë për përdhosjen e kufomës. Gjithashtu, është kërkuar dëmshpërblim prej 140 mijë eurosh për prindërit e viktimës dhe 35 mijë eurosh për motrën e tij.
Familja e Artjol Ramajt ka mundur të varrosë vetëm një pjesë të eshtrave të të riut, pasi pjesa tjetër nuk është gjetur ende.


