Agim Sulaj, pedagogu i Akademisë së Forcave të Armatosura është ndarë sot nga jeta, duke lënë pas dhimbje dhe trishtim tek miqtë dhe të afërmit. Sulaj me shumë përkushtim kontribuoi në përgatitjen e brezave të tërë ushtarakësh dhe punoi më shumë profesionalizëm.
Agim Sulaj u lind më 3 korrik 1962 në Selitë të Tiranës, në një familje patriotike e liridashëse, me vlera dhe kontribute të mëdha në çështjen kombëtare. Agimi kreu Shkollën e Mesme Ushtarake ”Skënderbej” dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve e përmbylli me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1985 u titullua oficer aktiv, duke nisur në këtë mënyrë karrierën ushtarake.
Gjatë karrierës së tij 35-vjeçare si oficer, Agimi kreu me përkushtim e devotshmëri një sërë detyrash të rëndësishme duke filluar nga detyra komandantit të togës, sekretar i Komitetit të Rinisë dhe komisar batalioni në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” e deri komandant i Akademisë së Forcave të Armatosura, këshilltar ligjor i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, pedagog i Shkencave Sociale, shef departamenti, shef fakulteti e dekan në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës modeli i një njeriu të dashur, fjalëpakë e punëshumë, zemërmirë, i një ushtaraku krijues e studiues. Këtë ia mundësonin edhe kualifikimet e shumta në fushën e sociologjisë e drejtësisë, si dhe të studimeve shkencore në fushën akademike të kryera gjatë karrierës ushtarake, duke mbajtur titullin e lartë “Profesor Doktor”.
Ai ka dhënë mësim në të gjitha kurset pasuniversitare që zhvillohen në Akademinë e Mbrojtjes.
Kontributi i tij në Forcat e Armatosura është i gjithanshëm në tërë procesin e transformimit të arsimit ushtarak e përshtatjen e tij me arsimin e lartë në Shqipëri, në drejtim të hartimit e zbatimit të ligjeve në fushën ushtarake. por ajo që mbahet mend nga pjesa me e madhe e oficerëve, është periudha që ka qenë pedagog në Akademinë e Forcave të Armatosura, ku shfaqi cilësitë më të mira të një mësimdhënësi të niveleve të larta, por edhe të një prindi dhe edukatori për studentët ushtarakë. Për shërbimet e shquara në kryerjen e detyrave të ngarkuara me përkushtim e devotshmëri, Agimi ishte vlerësuar me urdhra e medalje të ndryshme.