Shefi i opozitës shqiptare, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, ka marë një ofertë nga shefi i qeverisë, për tu ulur në një tryezë dialogu pa kushte, e për ta menaxhuar këtë moment të vështirë për shqiptarët, përtej interesave të flamujve partiakë.
Edi Rama nuk është hera e parë që i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit pa kushte Lulzim Bashës. E bëri sëfundi edhe përpara zgjedhjeve të 30 qershorit, duke i shkruar për 7 ditë me radhë, edhe nga një letër lutje publike. Dhe e bëri përsëri sot.
“Të ulemi për shqiptarët dhe t’u japim mesazhin qetësisë, durimit, sigurisë se askush nuk do të jetë vetëm në këtë luftë për mbijetesë. Unë jam gati”,- shkruajti Kryeministri në llogarinë e tij në twitter, e duke shtuar se “në këto rrethana të jashtëzakonshme, duhet mbiprodhim energjish pozitive për fatkeqët që kanë humbur gjithçka dhe mbarë popullin që meriton përkujdesje psikologjike”, ndaj kjo është “koha me u paqtu”.
Lulzim Basha deri përpara këtij moment po mbante një qëndrim prej “politikani normal”,- në lidhje me qasjen ndaj emergjencës së fatkeqësisë natyrore,- siç e quajtën edhe kritikët e tij më të mëdhenj publikë.
Ndërkohë që Sali Berisha ka mbajtur qëndrimin negativisht më agresiv që një politikan shqiptar ka mbajtur ndonjëherë ndaj një fatkeqësie si kjo. Krejt e kundërta kjo, në raport me sjelljen publike të Edi Ramës, që i rrahu shpatullat kur ndodhi tragjedia e Gërdecit. Për ti bërë vetëm pasi situata u qetësua, gjyqin më të pashembullt politik që një shef opozite, mund ti bënte një Kryeministri si Berisha të kapur kryekëput në faj.
E sapo Edi Rama tani Kryeministër, i shtriu dorën e bashkëpunimit Lulzim Bashës, kryetari i opozitës shqiptare kishte vetëm dy zgjedhje: Ose të ishte edhe me vepra, në anën e solidaritetit mbi interesat politike të momentit, në të mirë të qytetarëve dhe Shqipërisë. Ose të heqi maskën e “politikanit normal” që i ka vendosur vetes dhe të jetë bashkë me Sali Berishën, në frontin e së keqes. Sepse 51 jetët e humbura në Durrës e Thumanë e bëjnë këtë rast, të ndryshëm nga skenat e romaneve e Balzakut, ku rolet ndaheshin mes njërit që bënte “të mirin” dhe tjetri “të keqin”.
Se nga do të anojë Lulzim Basha, kjo mbetet për tu parë thjeshtë formalisht. Sepse pakkush që e njeh sadopak politikën shqiptare nga brenda, ka iluzione se ai do të ngrihet mbi mesataren e vet të deristome, për tu bërë ai lideri “de facto” i opozitës, që mungon brenda tij. Diskursi i tij politik në orët pas ftesës publike të Edi Ramës, e tregon këtë.
Megjithatë, meqenëse në politikë ekziston edhe aksioma “kurrë mos thuaj kurrë”, le të shpresojmë deri në momentin e fundit. Por të gjithë e dimë se për aq kohë sa Sali Berisha të jetë brenda PD, e sigurtë është që Lulzim Basha nuk ka asnjë shans që ti dali kundër. Sepse ai kurrë nuk ia doli që të bënte, atë që njihet si akti i “atvrasjes”, në politikë.
Lulzim Basha duket se do ta humbi edhe këtë shans, për ti dhënë mundësinë dhe lirinë vetes, që të bëhet lideri që ai duhet dhe realisht ka mundësi që të jetë. Sepse ai do mbetet thjeshtë ai kryetari i opozitës që qefi ja ka, por… nuk ia mba, që të jetë një “politikan normal”.
Përtej faktorit Berisha brenda PD, e gjitha kjo ndoshta e ka edhe një shpjegim frojdist, i cili i mësoi pacientët e tij, se problemet e tyre buronin nga fëmijëria.
Kur Lulzim Basha mbushi 1 vjeç, në ekranin shqiptar, u shfaq filmi “Beni ecën vetë”. Kanë kaluar shumë kohë nga viti i largët 1975 dhe ka disa njerëz, që pavarësisht shanseve dhe mundësive të mëdha që u ofron jeta për tu rritur e lënë gjurmën e tyre, vazhdojnë që të jenë thjeshtë ai “djali që nuk donte të rritej”. Duke vuajtur në këtë mënyrë përjetësisht, edhe në politikë, nga sindromi i “Piter Pan”-it.