Nga Marjo Brakaj/ Të premten, SPAK shpalli 20 masa sigurie në kuadër të një operacioni kundër një grupi kriminal që merrej me trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Artur Shehu, i njohur gjithashtu si poseduesi kryesor i tokave në Zvërnec, ku është dhënë leja e zhvillimit për ndërtimin e një resorti turistik nga një kompani e lidhur me Jared Kushner.
Paralelisht, SPAK ka hapur një tjetër hetim që lidhet drejtpërdrejt me pronat e Shehut në Zvërnec. Ky hetim fokusohet tek mënyra se si janë tjetërsuar sipërfaqe të mëdha toke, duke kaluar nga trashëgimtarët tek vetë Artur Shehu, e më pas në transaksione të tjera me shoqëri si Albania Land Development dhe South Adriatic Development.
Përgatitja e terrenit
Më 13 tetor 2021, rreth një muaj nga vizita e çiftit Kushner-Trump në Shqipëri, shoqëritë “Smart Construction Invest” me administrator biznesmenin Redi Struga dhe “Peninsula Development” me administrator shtetasin Idlir Lopçi themelojnë kompaninë “South Adriatic Development” me kapital 400 milionë lekë.
Secili nga ortakët zotëronte fillimisht 50 për qind të kapitalit.
Transaksione për 5 mijë lekë
Më tej, një lëvizje ndodh mes dy ortakëve. Lopçi i shtet Strugës 10% të aksioneve më 23 dhjetor 2021 për vetëm 5 mijë lekë.
Më datë 14.06.2022, me anë të kontratës së shitjes së kuotave të kapitalit shoqëria “PENINSULA DEVELOPMENT” shet edhe 40% të kuotave të zotëruara prej tij në favor të shoqërisë “Smart Construction Invest”, me çmimin e shitjes 2.000.000 (dy milion) Lekë. Pra, ortaku i vetëm kompanisë, South Adriatic Development, pas shitjes, u bë Redi Struga me 100% të aksioneve.
Fushata e blerjeve në Zvërnec
Kthehemi pak vite më vonë. Më 21 nëntor 2025, sërish Redi Struga, por tashmë në emër të kompanisë Albania Land Development, një kompani kjo e krijuar rishtazi prej tij duke përfshirë si aksionerë edhe dy biznesmenë nga Katari, Mohamadmoataz dhe Ramez Al-Khayyat, nënshkruan një kontratë premtimi për sipërfaqen prej 1,028,641.67 m² në Zvërnec me një vlerë prej 5.5 milionë eurosh.
Më konkretisht, në datë 21.11.2025, është nënshkruar kontrata e premtim shitjes me palë premtuese shitëse shtetasin Artur Shehu të përfaqësuar nga Leonard Bishaj dhe me palë premtuese blerëse, shoqërinë “Albania Land Development” sh.p.k, të përfaqësuar nga administratori, shtetasi Redi Struga.
Pala premtuese shitëse premton të shesë, ndërsa pala premtuese blerëse premton të blejë, pjesën që i korrespondon sipërfaqes prej 1,028,641.67 m³, nga pasuria e paluajtshme me sipërfaqe totale prej 1,089,150 m³, e ndodhur në Zvërnec, Vlorë, regjistruar në Zyrën e Kadastrës.
Çmimi i përcaktuar është në shumën 5,500,000 Euro. Si palë blerëse në kontratën e premtim-shitjes është Leonard Bishaj (përfaqësues i Artur Shehut).
Duhet sqaruar se kjo ishte një marrëveshje paraprake, jo transferim i plotë i pronësisë.
Shitja përfundimtare ndodh më datë 24.04.2026. E njëjta sipërfaqe prej 1,028,641.67 m² por me vlerë shumë më të lartë 122,000,000 euro.
Ky ishte akt shitje i plotë, pra transferim i pronësisë me çmim shumë më të lartë se ai i parashikuar në premtim-shitjen.
Mbetet e paqartë nëse 5.5 milion euro tek kontrata e premtimit ishte kesti i parë për të siguruar të drejtën e blerjes ose për të formalizuar interesin e palëve.
Struga ndërkohë zotëron Smart Construction Invest, dhe South Adriatic Development. Paralelisht në lojë është edhe kjo e fundit. Gjithnjë referuar të dhënave të vendimit të GJKKO-së, më 09.12.2025, lidhet një kontratë premtim-shitje ku South Adriatic Development i shet Albania Land Development një pasuri për 6.4 milion euro.
Më 21.04.2026, kjo marrëveshje formalizohet dhe South Adriatic Development i shet Albania Land Development pasuri me vlerë 70.289.222 euro, ku kësti i parë prej 6.4 milion euro ishte paguar sipas kontratës së mëparshme.
Ndërkohë Artur Shehu ka lidhur kontrata të mëparshme edhe me South Adriatic Development. Gjithnjë referuar vendimit të GJKKO-së më 20.11.2021, South Adriatic Development blen nga Artur Shehu një pronë për 2.4 milion euro (313,584,000 lekë). Po në vendimin e GJKKO-së thuhet se, akti nuk është i ngarkuar në regjistrin noterial dhe në sistemin Nisa.
Një vit më pas më 04.08.2022, lidhet kontratë sipërmarrjeje mes South Adriatic Development dhe Artur Shehut (me saktë përfaqësuesit të tij) për zhvillim të pronave në Akërni dhe Zvërnec. Në vendim specifikohet se disponohet vetëm faqja e parë e kontratës.
SPAK në veprim
Nga sa më sipër, Artur Shehu rezulton të jetë është hallka kryesore e pronësisë fillestare, mbi të cilën janë ndërtuar më pas transaksionet e shit-blerjes me shoqëri si Albania Land Development dhe South Adriatic Development, ku përfshihet Redi Struga.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar (GJKKO) një kopje të së cilës e disponon edhe Faktoje ne rruge jo zyrtare sa kohë të dhënat i përkasin një hetimi ose procedimi penal në fazën hetimore apo gjyqësore.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin penal për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” . Thënë kjo, në vendim thuhet se, SPAK po zhvillon në mënyrë dinamike disa hetime lidhur me disa veprime dhe transaksione të kryera përgjatë fundit të vitit 2025 e në vitin 2026, ku sipas SPAK, janë konstatuar veprime në lidhje me tjetërsimin e disa pasurive të paluajtshme, sipërfaqe toke, të ndodhura në zonat Akërni/Zvërnec, Vlorë.
“Në lidhje me këto pasuri ka konflikte të hershme dhe të vazhdueshme në kohë, ndërmjet disa personave, banorë të zonës, të cilët pretendojnë përfitimin të këtyre sipërfaqeve me anë AMTPve, ndërkohë që sipërfaqet e tokës rezultojnë të regjistruar në Agjensinë e Kadastrës, në emër fillimisht të trashëgimtarëve të shtetasit Artur Shehu, dhe më pas në emër të këtij të fundit (i cili rezulton ndër të tjerë t’i ketë blerë ato nga trashëgimtarët) dhe në emër të shtetasit Ferdinant Sulaj, trashëgimtar i shtetasit Seit Shehu. Një pjesë e këtyre pronave janë tjetërsuar tek shtetasi Pullumb Petritaj, i cili rezulton të ketë qenë përfaqësues i shtetasit Seit Shehu në proceset gjyqësore dhe administrative për regjistrimin e pasurive. Nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore rezultojnë se, konfliktet janë akoma në procese gjyqësore duke mos patur vendimmarrje të formës së prerë, ku edhe për pasurinë me nr. 262, zona kadastrale 1007 vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka shërbyer për regjistrimin e pasurive është prishur nga Gjykata e Lartë”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Kompania e lejes së zhvillimit
Vijmë tek kompania që ka marrë zyrtarisht lejen e zhvillimit në zonë, “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k në fillim të këtij viti. Në vendim thuhet se, shoqëria “Albania Land Development” sh.p.k. me administrator Redi Struga, në datën 25.03.2026 ka lidhur një kontratë sipërmarrje me “Zvernec South Adriatic Development”.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania ka adresën në katin e 12-të të kullës European Trade Center në Tiranë (Bulevardi Zhan Dark). Dokumentacioni publik tregon fillimisht vetëm një administrator shqiptar, Andi Jorgji, dhe një kapital fillestar prej 5 milionë lekësh.
Me date 30.07.2025, me vendim te asamblese se ortakut, u largua administratori Andi Jorgji dhe u emerua administratore e shoqerise Isida Çela.
Në gusht 2024 u themelua shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka kaluar nga një zinxhir kompanish guackë nën menaxhimin e trustit holandez “Dutch Trust Management B.V.”
Rrjeta
Rrjeta sa më sipër e transaksioneve është sot pjesë e hetimeve të SPAK, i cili ka regjistruar procedime për pastrim parash dhe veprimtari kriminale të strukturuar. Në këtë kuadër, shpallja në kërkim e Artur Shehut për një tjetër dosje hetimore e vendos atë në qendër të dy linjave paralele: nga njëra anë, dyshimi per posedim dhe tjetërsim te pronave strategjike në bregdetin e Vlorës dhe nga ana tjetër, dyshimet për përfshirje në aktivitete kriminale që SPAK po ndjek me masa sigurie dhe hetime të zgjeruara. /Marrë nga Faktoje.al


