Levizjes Socialiste për Integrim, e cila po mban qëndrim duke bërë opozitë të fortë në këshillin bashkiak të Durrësit i kanë rrjedhur katër vota gjatë votimit të buxhetit.
Grupi i këshilltarëve të LSI-së kishte vendosur t’i bënte bllokadë Socialistëve duke bojkotuar mbledhjen e këshillit bashkiak që kishte në rendin e ditës edhe miratimin e buxhetit të vitit 2018, por çuditërisht katër këshilltarë u paraqitën në mbledhje duke votuar pro buxhetit me vlerë 48 miliard lekë, si edhe disa pika të tjera që ishin në rendin e ditës.
Grupi këshilltarëve të LSI dhe PD kishin vendosur të mos merrnin pjesë në mbledhjen e radhës që parashikonte kalimin e buxhetit, por katër votat e rrjedhura nga LSI i dhanë mundësi kalimit të tij.
Për votën pro të 4 këshilltarëve të LSI-së në këtë mbledhje, pas saj, ka reaguar Jeton Rexhmati, këshilltar i LSI-së dhe anëtar i komisionit të medias. Rexhamti tha se ne kemi pasur një vendim grupi për të mos marrë pjesë në mbledhje dhe nuk e kuptojmë se përse 4 këshilltarët në fjalë kanë marrë pjesë por për këtë do të ketë një mbledhje për të marrë masë ndaj tyre.
Megjithatë, Këshilli bashkiak në Durrës ka miratuar me 26 vota pro buxhetin e vitit 2018, ndërkohë që për këtë numër votash është dashur edhe vota e 4 këshilltarëve të LSI-së dhe një e PR. Mbledhja që kishte në rendin e ditës projektbuxhetin si dhe paktën fiskale është bojkotuar nga këshilltarët e partisë demokratike si dhe shumica e këshilltarëve të LSI-së.
Pas miratimit të projektbuxhetit kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha se ky është një buxhet i balancuar që do ti vijë në ndihmë gjithë banorëve të Durrësit, pasi në të janë parashikuar investime në infrastrukturë dhe shërbime për qytetarët. Vlera totale e buxhetit të vitit 2018 është parashikuar në rreth 4.8 miliard lekë të reja.