Që ky nuk është një udhëtim i zakonshëm për Adriatik Llallën, kuptohet nga deklarata e avokatit të tij në 16 Maj. Sokol Hazizaj shkaktoi habi kur tha se prej dy javësh nuk ishte takuar me klientin e tij, por komunikonte vetëm përmes bashkëshortes së Llallës.
Ndërkohë në seancën e sotme, Adriatik Llalla iu është drejtuar organeve të vetingut me prokurë në turqisht, por e përkthyer në shqip dhe me vulë apostile, mes të cilës ish-kryeprokurori Llalla ngarkon si përfaqësues të tij avokatin Sokol Hazizaj.
“E kam të pamundur të jem i pranishëm apo të paraqitem, si dhe më pas autorizoj caktoj si përfaqësues të posacëm ligjor avokatit Hazizaj për të më përfaqësues gjatë dhe gjithë gjykimin në mungesën time, Avokatit i njoh të drejtën që të më mbrojë të paraqesë cdo anekesë dhe të grumbullojë prova dhe ti paraqesë ato para KPA”, shkruan Llalla në letër.
Vendndodhja e ish kryeprokurorit javët e fundit ishte mister. Fillimisht mendohej se Llalla qëndronte në Gjermani, atje ku kishte strehuar familjen e tij, por letra nga Turqia zbuloi edhe vendndodhjen e tij. Në letër, Llalla nuk jep asnjë të dhënë
Për ish kryeprokurorin situata u komplikua javët e fundit.
Krimet e Rënda nisën procedim penal për hetimin e pasurisë së tij, ndërsa burime të pakonfirmuara flisnin për arrestimin e tij si çështje ditësh. Firma në fletë-arrestin e Llallës ishte edhe një nga arsyet e përfolura për largimin e Besim Hajdarmatajt nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe zëvëndësimin e tij me Donika Prelën.
Konflikti Llalla-Lu kulmoi me publikimin në media të letrës që ish Prokurori i Përgjithshëm i kishte dërguar Kongresit Amerikan, ku tregonte se ambasadori i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës.
Në reagim, ambasadori ishte më i qartë se asnjëherë dhe nuk ngurroi t’i kujtojë burgun ish kryeprokurorit.
“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij”
Në përgjigjen për Donald Lu, Llalla i konsideroi këto deklarata të papërgjegjshme dhe të papranueshme.
“Sulmet personale të Ambasadorit Lu janë të papërgjegjshme dhe të papranueshme. Për mua është e vështirë të kuptoj se si një ambasador i huaj mund të pretendojë të ketë dijeni për një hetim të supozuar nga autoritetet e vendit pritës. Ambasadori Lu jo vetëm që e ka futur veten e tij në procese hetimore vendase, por ai i ka dhënë vetes të drejtën të sillet si prokuror, gjykatës dhe juri duke shpallur publikisht se unë jam nën hetim dhe pastaj duke më shpallur të fajshëm dhe me çfarë duhet të dënohem, pa patur asnjë provë dhe pa asnjë proces të rregullt”
A ka kërkuar apo jo azil? Ja çthotë Ambasada gjermane
Ditët e fundit në disa media online, është dhënë lajmi se ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka kërkuar azil politik në Gjermani. Por për të mësuar se si qëndron e vërteta Report TV i drejtoj një pyetje ambasadës gjermane në Tiranë, nëse ish numri 1 i akuzës shqiptare, ka kërkuar azil apo jo. Përgjigja që mori ishte kjo:
“Shumë faleminderit për kërkesën tuaj. Përcaktimet ligjore në Gjermani nuk lejojnë, që informacionet rreth rasteve të azil kërkimit të bëhen publike. Këtu përfshihet edhe informacioni, nëse është aplikuar për azil apo jo”, shprehet ambasada gjermane.
Nga burime jo zyrtare ka mësuar se zoti Llalla dhe familja janë duke jetuar në qytetin Bremen të Gjermanisë ku dy fëmijët më të rritur ndjekin Internation School of Bremmen. Pak javë më parë ambasada në Tiranë kishte refuzuar zgjatjen e afatit të qëndrimit të familjes Llalla në Gjermani.


