Policia e Korçës arrestoi një 23-vjeçar i cili akuzohet se të dielën plagosi me thikë një 19-vjeçar, pas një sherri mes tyre, raporton A2 CNN. Policia tha se i plagosuri, shtetasi M. A. po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Korçë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit R. I., 23 vjeç, banues në Korçë. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan thikën e përdorur gjatë konfliktit, një sasi lënde narkotike kanabis dhe një objekt në formë pistolete, në ngjyrë të zezë, që përdorej me sfera”, tha policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


