Tre shtetase të huaja janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Last Post”, pas zbulimit të dy rasteve të dyshuara të ushtrimit të prostitucionit në apartamente të marra me qira.
Në pranga ka rënë fillimisht L. S., 46 vjeçe, shtetase braziliane. Sipas policisë, ajo dyshohet se shfrytëzonte një tjetër shtetase braziliane, 21-vjeçaren T. S., për ushtrimin e prostitucionit. Aktiviteti dyshohet se zhvillohej në një apartament të marrë me qira në rrugën “Abdyl Frashëri”.
Bashkë me 46-vjeçaren është arrestuar edhe T. S., 21 vjeçe, e cila dyshohet se ushtronte prostitucion në këtë apartament. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti 6 telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për reklamimin e aktivitetit në rrjetet sociale.
Në një tjetër rast të zbuluar gjatë operacionit, policia ka arrestuar M. V., 23 vjeçe, shtetase kolumbiane. Sipas hetimeve, 23-vjeçarja dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Hamdi Sulcebe”, ku ushtronte prostitucion.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


