Kryeministri Edi Rama synon që mazhoranca socialiste brenda këtij mandati të miratojë një reformë të re kushtetuese. Pas mbledhjes së grupit të PS, Rama tha se duhet të ngrihet grupi i pune, duke ritheksuar edhe njëherë propozimin e tij për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend nga 140 në 100.
“Duhet të mendohet edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese. Kemi shtruar nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të zvogëlohet në numër, kemi kuvend me 140 vetë, fare mirë mund të kemi kuvend me 100 vetë. Ka dhe aspekte të thera që duhen zgjedhur nga njerëzit që dinë se çfarë shohin, lexojnë, thonë, kur vjen fjala te kushtetuta e Shqipërisë duhet ngritur një grup që pastaj të hapë një proces, është shumë më tepër se një reformë zgjedhore, kërkon shumë më tepër hapësirë angazhim, burime. Ambicia do jetë duhet të jetë që në fund të mandatit të kalojmë edhe një reformë kushtetuese”, tha Rama.
Më herët kryeministri Rama e fokusoi fjalën te rruga drejt BE-së. Jo vetëm mjedisi, por edhe siguria ushqimore, janë dy kapitujt sfidues në rrugën drejt integrimit europian. Kryesocialsiti Edi Rama në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar mblodhi grupin e PS për t’i kujtuar afatin se brenda vitit 2027 duhet të plotësohen të gjitha kushtet për integrimin e BE, një premtim i dhënë shqiptarëve të cilët në zgjedhjet e 11 majit i besuan 83 mandate.
“83 mandate imponojnë shumë gjëra për këtë forcë politike, duke nisur nga detyrimi që fundin e 2027-ës ne të dalim para atyre që na i dhanë 83 mandate dhe tu themi që ne e bëmë atë për të cilën u kërkuam votën, i mbyllëm negociata me BE, i mbaruam detyrat tona, pastaj detyra tjetër është pjesa e këmbënguljes politike”, tha Rama.
Vetë kryeministri e pranon se me nivelin e ulët të sigurisë ushqimore që vendi ynë ka aktualisht, jemi të panitegrueshëm në BE. Shefi i qeverisë thotë se janë në negociata me BE që vendit tonë t’i lihet një fazë e ndërmjetme 5-vjeçare, me qëllim që kushtet për të kapitull të plotësohen deri në 5 vite pas anëtarësimit, që synohet deri në vitin 2030. Një metodë të tillë Shqipëria e ka negociuar me BE edhe për kapitullin e mjedisit, ku është rënë dakord shtyrja e afatit për plotësimin e kushteve vetëm për këtë kapitull.
“Beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor, për prodhuesit në fshat, për sipërmarrjen. Në kushtet e sotme, ne jemi të paintegrueshëm në BE, për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore. Po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme, 5 vjet pas anëtarësimit, përgatitjet duhet të fillojnë tani”, tha Rama.


