Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka reaguar pas deklaratës së kreut të PD, Sali Berisha se kreu i SPAK, Altin Dumani është konfliktuar me një gjykatëse.
“Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.
Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor”, theksohet në deklaratë.


