Në moshën 84 vjeçare, tre vite më parë më 7 korrik 2016 u nda nga jeta piktori Vilson Kilica. Pothuaj mbushet një vit që kur në Fier u institucionalizua zyrtarisht “Galeria Vilson Kilica”. Piktori Vilson Kilica është përfaqësues mirëfilli i pikturës shqiptare të realizmit socialist. Sëbashku me mjaft piktorë të tjerë përbëjnë vlerat dhe mosvlerat e historisë së pikturës shqiptare në vitet e socializmit. Kjo periudhë krijimtarie në historinë e artit shqiptar përbën një stacion kulturor që. mëndjelehtësisht nuk mundet të fshihet. Vilsoni nxënës në Lice filloi mësimet në pikturë me mësues piktor të njohur të formuar në Perëndim dhe vazhdoi më tej në shkollën sovjetike të pikturës. Në vitet 50të shkolla sovjetike e pikturës kishte abandonuar avangardën e pikturës perëndimore të cilësuar si art elitist, i pa arritshëm nga masa e popullit.
Me rezultatet e larta në shkollë, për inteligjencën e spikatur, për aftësistë organizative dhe ekuilibrin vetpërmbajtës që e karaterizonte ngarkohet me detyrën e drejtorit të parë të Akademisë së Arteve. Krahas vlerave të shquara si piktor nga më të mirët e kohës së vet një vlerë shumë e veçantë është kontributi dhe puna këmbëngulëse e tij në krijimin e shkollës shqiptare të pikturës. Ishte ai që me seriozitet maksimal përzgjodhi piktorët më të mirë të kthyer nga studimet në ish vendet komuniste dhe krijoi strukturën e trupës pedagogjike të shkollës shqiptare të arteve pamore.
Me profesionalizëm dhe inteligjencë krijoi frymën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave midis pedagogëve të rinj dhe të atyre që tashmë ishin brezi i piktorëve që kishin mbaruar shkollën në vendet perëndimore. Kolegët e Vilsonit me kënaqsi ndajnë mendimin se me profesionalizmin e tij dhe të kolegëve të tij të afërt mbas 10-15 vitesh të fillimit të shkollës shqiptare të pikturës filloi të kristalizohet një linjë shqiptare, një origjinalitet shqiptar i cili në përmbajtje ishte realizëm socialist sovjetik por që deklamonte tiparet e një arti që shprehte qartë standartet kulturore, ekonomike, etnografike e historike të mbartura në fondamentin biologjik dhe karakterim multidimensional shqiptar. Kjo konsiderohej një vetzhvillim “shkëputës”logjik drejt rritjes së shkollës shqiptare të pikturës. Në këtë këndvështrim roli i Vilson Kilicës ishte i padiskutueshëm dhe përcaktues. Megjithëse në këto 20 vitet e fundit nuk mungojnë në Shqipëri piktorë të rinj të talentuar të arsimuar në shkolla europiane, prapë se prapë nuk shihen që të kenë arritur në nivelin artistik të pikturës së kohës të para viteve 90të. Liria egziston por mungojnë disa faktorë të tjerë social-ekonomik që kushtëzojnë zhvillimin e arteve.
Pas goditjes që E Hoxha bëri në fushën e kulturës mbas Festivalit të 11të, piktorin Vilson Kilica e qarkulluan si mësues në Fier. Nuk isha bashkëmoshatar në atë kohë por në moshë maturie për të arsyetuar dhe kuptuar mbi konsideratat që kolegët piktorë fierakë kishin për pedagogun e tyre. Krahas pritjes së ngrohtë shprehnin respekt për nivelin e shquar të krijimtarisë së Vilsonit. Natyrisht që mund të shpreh konsideratën time në aspektin njerëzor të Vilsonit si intelektual i cili shquante në ambjentin fierak të mbipopulluar në atë periudhë me njerëz të dijes në fusha të ndryshme të jetës. Disa kolegë të tij si N. Jonuzi, E. Hila, Ll. Blido, të cilët kanë shprehur opinionet e tyre në albumin me punët e V. Kilicës theksojnë:”Pa dyshim që piktura e Kilicës është e ekuilibruar dhe e vërtetë në llojin e saj. Edhe në ato raste kur ruhen disa kritere të realizmit socialist, ajo pikturë kuptohet menjëherë që është bërë në Shqipëri. Nuk e përzien dot me asnjë tjetër realizëm socialist, bie fjala, sovjetik, bullgar, rumun, apo tjetër. Duket që një tipar dallon në rastin e tij, personaliteti i njeriut të ekulibruar në raportet njerëzore shprehet edhe në pikturën e tij, “e ekulibruar dhe e vërtetë në llojin e saj”.
Një sjellje kostante e karakterizoi Vilson Kilicën gjatë të gjithë kohës që jetoi në Fier, gjithmonë i balancuar në raportet njerëzore. Ndërsa kolegët e admironin edhe për atë që për krijimet e tyre ai asnjëherë nuk u shprehte mendime mosaprovuese me mënyra arrogante apo përçmuese. Shumë shumë shkonte deri te heshtja.
Ndërsa entusiazmin për punë të arrira të kolegëve nuk hezitonte që ta çfaqte si kënaqsi dhe ta shprehte me fjalë vlerësuese. Në albumin e punëve të piktorit Kilica njihesh me opinionet e disa piktorëve shqiptarë e të huaj të cilët evidentojnë vlerësime për punët që janë më përfaqësueset e nivelit më të mirë të Vilson Kilicës si edhe kushtëzimet krijuese që kanë qenë rezultat i atmosferës ideologjike e politike të ngurtësuar, ku ombrella e metodës së realizmit socialist sundoi për afro gjysmë shekulli hapësirat krijuese në rrethanat e një shteti totalitar. Autori kanadez me disa botimeve, Simon Morrison, historian në departamentin e muzikës dhe kulturës sllave të Universitetit Princeton Nju Xhersi, i specializuar për muzikën dhe filmin rus e sovjetik dhe artin modernist francez, në librin e tij me titull “Artisti i popullit” (Nju Jork 2009) thekson se: “Realizmi socialist njëlloj si Frmalizmi nuk ka një definicion konkret. Nënkupton gjithëçka që politika zyrtare donte që ai të përmbante e të trasmetonte në popull”. Ai përmend në libër shprehjen e Engelsit (1859) se “arti i realizmit socialist së pari është socialist, jo realist”. Jep opinione të Leninit mbi artin socialist dhe fokusohet te Stalini i cili prej kohësh kishte dhënë ide më specifike, më ndëshkuese e përjashtuese sesi arti duhet ti shërbejë shtetit sovjetik. Në një manipulim ironik të teorisë konstruktiviste (1934) Stalini specifikonte se arti duhet të shërbejë për një qëllim funksional, duhet të jetë “në formë kombëtare, në përmbajtje socialiste”. Thënë thjesht, arti duhet të përdoret si propagandë. Në libër Simon Morrison sjell një konstatim që ka të bëj me të gjithë artistët në vendet komuniste: “mbas rënies së komunizmit u gjëndën me pa të drejtë në një gjëndje trysnie psikologjike me impakt emocional denigures që u ushtrua nga disa krijues dhe ndonjëherë edhe nga institucione kulturore. Iu shkaktua një vuajtje dhe trishtim i padrejtë shoqëror një shtrese shoqërore që herë pas here me produktin e saj artistik vihej në pozitë mjaft të vështirë, deri ekstreme për jetën, me regimin diktatorial. Shtrohet pyetja, përse kësaj shtrese artistësh duhej tu mohoej e drejta për të mbijetuar? U paragjykuan si pjesë e fajshme pa mbajtur aspak parasysh “morsën e metodës krijuese zyrtare. Me këtë rast mediokriteti kulturor u lëshua mbi ata si shigjeta mbi gjahun”. Historiani Morrison është marrë gjatë me kompozitorin sovjetik Shostakovich i cili kaloi dy periudha shumë të vështira i akuzuar si armik i popullit në vitet 1936 dhe 1948. Morrison citon një nga thëniet e kompozitorit Shostakovich: “Kufizimet artistike që i diktohen një kompozitori, një shkrimtari, një piktori, i detyrojnë ata që të mendohen thellësisht sesi me të vërtetë të shprehin veten duke qënë brenda një maske që çfaqet së jashtmi me ortodoksinë partiake. Mbijetesa e figurës publike, e artistit të talentuar në epokën e komunizmit kërkonte një sy të mprehtë politik, përshtatshmëri mbijetuese dhe thjeshtë pak fat”. E solla këtë argument sepse mendoj që piktori Vilson Kilica me inteligjencën, talentin dhe kulturën shoqërore që zotëronte me siguri ka kaluar nëpër këto situata psikologjiko-artistike mbas rënies së komunizmit. Kishte qënë piktor i talentuar i kohës së tij që krahas krijimtarisë si piktor kishte drejtuar edhe institucionin arsimor kombëtar të arteve apo dhe institucionin e shoqatës së artistëve. Mund të thuash që me krijimtarinë e tij përfaqësonte një moment përgjithësues të vlerave të krijuara në artet pamore shqiptare në periudhën e socializmit. Ndoshta prandaj kolegë dhe të afërm të tij konstatuan te piktura e tij mbas qarkullimit në Fier një ndryshim të dukshëm, jo më si më parë, në mënyrën e tij të të bërit pikturë. Mendohet se në këtë fazë të krijimtarisë janë çfaqur në pikturën e tij vlimet e zhgënjimeve ideo-artistike, deziluzionet e koncepteve të dy botëve të ndryshme kulturore ku fatin e krijimtarisë së tij e përcakton dhuna shtetërore.
Në parathënien e Albumit të piktori Vilson Kilicashkrimtari i njohur Ismail Kadare shkruan: Boceti “Vdekja e piktorit “do të ishte ndoshta një elegji e qetë për artin, që nuk arriti të kryhej, për mundësitë, për pengun e gjithçkaje, që nuk arriti të dalë në pëlhurë, në muzikë a në rrëfimin letrar. Ai që u quajt “art i realizmit socialist”, stinë pas stine dhe vit pas viti u përpoq të zinte e të sundonte gjithë hapësirën shqiptare. Këtë sundim e shpallte propaganda e kohës, krenohej me të, profetizonte përjetësinë e tij. Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Ashtu si gjithkund në ish-perandorinë komuniste, ashtu si në vitet e terrorit stalinist në Rusi, Hungari, Ceki e kudo, edhe në Shqipëri shteti nuk vuri dot plotësisht në gjunjë artin. Aty-këtu, midis klimës së ashpër, fare të përshtatshme për art e aq më pak për hyjni, shfaqeshin papritur tekste letrare, pëlhura e muzikë, që herë haptazi, por më shumë tërthorazi, e sfidonin shterpësinë e kohës. Një brengë njerëzore, një ardhje dimri, një pejsazh i pikëlluar apo portretet e gruas së dashur, ashtu si lulet e pakta, të mbira në truall të vështirë, na duken ndoshta edhe më të çmueshme sot. Ky album i Vilson Kilicës, piktorit të pajisur me finesë dhe vetpërmbajtje dinjitoze, e dëshmon këtë”.
Mendoj se piktorët e talentuar M. Velo, E. Hila, A. Oseku, etj., nuk kanë pasur ndonjëherë si qëllim në vetvete që të krijojnë art pamor për tju kundërvënë vendosmërisht hapur metodës krijuese zyrtare të realizmit socialist. (Me sa jam në dijeni as ata vet nuk e kanë pretenduar një gjë të tillë ndonjëherë,) Mendoj se artistët fatkeq të rrëmbyer nga talenti dhe ëndërrat krijuese tejkaluan në një moment fatalisht “formën dhe përmbajtjen” e asaj që më sipër Simon Morrison e ka cilësuar si : “ gjithëçka që politika zyrtare donte që arti i realizmit socialist të përmbante e të trasmetonte në popull”. Nuk kam asnjë fije dyshimi që ata të mund të donin të vetsakrifikoheshin në burg apo para skuadrës së pushkatimit për një marrëzi të tillë, ishte njëlloj si ti bije murit me kokë.. Artistëve shqiptarë u ra fati që atdheu i tyre të përfshihej në gjysmën komuniste të botës. Nuk u mbetej asgjë tjetër, vetëm të mbijetoninuke krijuar art. Theksoj se realizmi socialist u imponua me diktat të rreptë zyrtar, nuk u zgjodh, nuk u përqafua prej artistëve shqiptarë me dëshirë. Ata nuk kishin mundësinë e zgjedhjes. Krijimtaria e asaj periudhe është histori e artit shqiptar dhe si e tillë mendoj që duhet konservuar e kuruar me kujdes. Në mbyllje të këtyre shënimeve dua të theksoj se qytetarët e Fierit e mirëpritën si diçka të natyrshme krijimin e “Galeria Vilson Kilica”, e ndjenë si vlerë e shtuar kulturore, pjesë organike të kulturës së tyre qytetare qoftë emrin e nderuar të artistit Vilson Kilica ashtu edhe artin e tij. Uroj që Bashkia e qytetit dhe Institucionet kulturore kombëtare do e trajtojnë Galerinë si një klub arti dhe artistësh në funksion të diskutimeve dhe ekspozitave përgjatë zhvillimeve kulturore të qytetit e më gjerë.