Filmi “The Odyssey” nuk po mbush vetëm sallat e kinemave, por po thyen edhe pritshmëritë e industrisë. Sipas një analize të Variety, suksesi i filmit të ri të Christopher Nolan nuk lidhet vetëm me emrin e regjisorit apo me kastin e mbushur me yje, por me një kombinim faktorësh që e kthyen premierën në një nga ngjarjet më të mëdha kinematografike të vitit.
Filmi debutoi me 264.1 milionë dollarë në mbarë botën, duke arkëtuar 124.5 milionë dollarë në SHBA dhe 139.6 milionë dollarë në tregjet ndërkombëtare. Ky është debutimi më i madh global në karrierën e Christopher Nolan, duke lënë pas “The Dark Knight Rises”, ndërsa renditet edhe si debutimi i tretë më i madh i vitit 2026, pas “Toy Story 5” dhe “The Super Mario Galaxy Movie”
Sipas Variety, arsyeja e parë e këtij suksesi është IMAX.
“The Odyssey” është filmi i parë artistik i xhiruar tërësisht me kamera IMAX, një objektiv që Nolan e ka cilësuar prej vitesh si ambicien e tij më të madhe. Për këtë arsye, shumë spektatorë zgjodhën ta shihnin filmin pikërisht në këtë format.
Rezultati ishte rekord. Vetëm IMAX solli 51.8 milionë dollarë, ose 23% të arkëtimeve globale të fundjavës së parë. Sipas kompanisë, ky është debutimi më i madh në historinë e IMAX në tregjet ku operon, duke kaluar edhe “Avengers: Endgame”.
Filmi po ecën edhe më mirë se “Oppenheimer” në ekranet IMAX. Filmi fitues i Oscar-it kishte arkëtuar 35 milionë dollarë në fundjavën e parë në këtë format dhe 180 milionë dollarë gjatë gjithë shfaqjes së tij në kinema.
Interesi ishte aq i madh, sa IMAX i rezervoi “The Odyssey” ekskluzivitetin për tre javë. Në shumë vende, shfaqjet janë të shitura për fundjavat e ardhshme, ndërsa disa kinema kanë shtuar projeksione në orën 02:00 dhe 07:00 të mëngjesit për të përballuar kërkesën.
Edhe ekranet IMAX 70 mm, që janë vetëm 41 në të gjithë botën, regjistruan arkëtime prej 6.3 milionë dollarësh vetëm gjatë fundjavës së hapjes. Sipas presidentit të shpërndarjes së Universal në SHBA, Jim Orr, disa prej këtyre shfaqjeve janë të rezervuara për javë të tëra.
Sipas analizës, faktori i dytë është vetë Christopher Nolan. Pas filmave si “The Dark Knight”, “Inception”, “Interstellar”, “Dunkirk” dhe “Oppenheimer”, regjisori është kthyer në një nga emrat e rrallë në Hollywood që arrin të mbushë sallat vetëm me emrin e tij.
David A. Gross, botues i buletinit “FranchiseRe”, e cilëson Nolan një talent unik, me një bazë besnike tifozësh që e ndjek pavarësisht zhanrit të filmit.
Në të njëjtën linjë është edhe Shawn Robbins, drejtor i analizës së tregut në Fandango dhe themelues i “Box Office Theory”. Sipas tij, një film pothuajse treorësh, me klasifikim për të rritur dhe i bazuar në një poemë 3 mijëvjeçare, do të konsiderohej një rrezik i madh po të ishte realizuar nga një regjisor tjetër.
Një tjetër element që surprizoi industrinë ishte mosha e publikut. Rreth 50% e spektatorëve që panë filmin gjatë fundjavës së parë ishin nga 18 deri në 34 vjeç, çka tregon se “The Odyssey” arriti të tërhiqte edhe brezin e ri, megjithëse bazohet në një nga veprat më të njohura të letërsisë klasike.
Sipas analizës, Universal luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në suksesin e filmit. Studio e promovoi “The Odyssey” jo vetëm si një film, por si një përvojë që duhej parë në ekranin më të madh të mundshëm. Biletat për shfaqjet IMAX dolën në shitje plot një vit përpara premierës dhe u shitën menjëherë, ndërsa muaj më parë publikut iu shfaq edhe një prolog gati gjashtëminutësh gjatë projeksioneve IMAX të filmave të tjerë.
Filmi përfiton edhe nga reagimet shumë pozitive të publikut dhe kritikës. “The Odyssey” ka marrë notën A në CinemaScore dhe 95% në Rotten Tomatoes, rezultate që, sipas analistëve, mund ta ndihmojnë të ruajë ritmin e lartë të arkëtimeve edhe në javët në vijim.
“The Odyssey” është një ekranizim i poemës epike të Homerit dhe ndjek rrugëtimin e Odiseut, mbretit të Itakës, në kthim drejt shtëpisë pas Luftës së Trojës. Në rolin kryesor interpreton Matt Damon, ndërsa në kast bëjnë pjesë Tom Holland, Anne Hathaway, Zendaya, Lupita Nyong’o, Robert Pattinson, Charlize Theron, John Leguizamo dhe Jon Bernthal.


