Zv/ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Rovena Voda, bën përgjegjëse për emigrimin e fëmijëve shqiptarë, autoritetet britanike dhe rrjetet sociale. Në një prononcim për ‘Daily Mail’, Voda ka deklaruar se reagimi i butë i Britanisë është përgjegjës për inkurajimin e të rinjve shqiptarë që përpiqen të hyjnë në këtë shtet. Ajo është shprehur se Britania duhet të veprojë më shpejt për të rikthyer në shtëpi të rinjtë nën 18 vjeç, të cilëve u është refuzuar azili, njësoj siç bën Franca dhe Gjermania. Dështimi në këtë aspekt po e bën Britaninë e Madhe destinacion akoma më tërheqës për adoleshentët, ka thënë zv/ministrja shqiptare. Paratë që Londra shpenzon për kujdesin social ndaj këtyre të rinjve, Voda sugjeron që të investohen në projekte në Shqipëri për të inkurajuar të rinjtë që të mos largohen.
“Këta fëmijë nuk po trafikohen në Britani kundër dëshirës së tyre. Shumica janë sjellë në një pjesë të rrugës nga prindërit dhe familjarët e tyre. E bëjnë për arsye ekonomike. Është e vështirë. Prindërit besojnë se po bëjnë më të mirën për fëmijën e tyre dhe po i japin më shumë mundësi për të ardhmen, por ata i bëjnë dëme të mëdha psikologjike duke e braktisur. Fëmijët vuajnë nga ankthi, si dhe rrezikojnë të bëjnë punë skllavëruese ose krime, nëse nuk u aprovohet azili”, ka deklaruar Voda.
Më tej, zv/ministrja shqiptare ka shtuar: “Arsyeja përse kaq shumë shkojnë në Britani sesa në Gjermani, Francë apo Holandë, është se këto shtete punojnë më shumë për t’i kthyer që në fillim. Në Britani nuk ndodh kështu dhe kjo e bën më atraktive. Nëse Britania punon më shumë për t’i rikthyer më shpejtë, kjo do të ndihmonte.”
Rovena Voda bën me përgjegjësi edhe publikimet e ndryshme në rrjetet sociale, që sipas saj ndikojnë te adoleshentët.
“Media sociale është një problem. Njerëzit pëlqejnë të shfaqen aty dhe kjo inkurajon adoleshentët. Ata mendojnë se do të jetë një periudhë e bukur kur në fakt nuk është ashtu”, ka thënë Voda.
Zv/ministrja i ka thënë gazetës britanike se qeveria po përpiqet të ndalojë braktisjen e fëmijëve në Evropë, duke proceduar penalisht prindërit.