Ministria e Mbrojtjes jep informacion zyrtar mbi 13 vatrat e zjarrit në Shqipëri. Në Fushë-Arrëz tashmë situata duket më kritike pasi zjarri rrezikon zonat e banuara.
Nga ana tjetër në gjithë operacionet janë përfshirë mbi 500 efektivë të FA teksa puna vijon si nga toka dhe ajri.
Njoftimi:
Situata e zjarreve në vend
Në Gadishullin e Karaburunit, pavarësisht punës së palodhur e të pandërprerë të efektivëve të FA dhe shërbimit zjarrfikës ka ende prani vatrash zjarri, por pa rrezik për banesat.
Puna po vijon për shuarjen e flakëve në kodrën e pishave në fshatin “Arshi Lengo”, ku veç forcave operacionale ndërhyrja vijon nga ajri me helikopter.
Zjarret në Fushë-Arrëz rrezikojnë të kalojnë në zonat e banuara, ndaj në ndihmë të forcave që po vijojnë punën prej orësh është dërguar edhe një helikopter për mbështetje nga ajri.
Vatra të tjera zjarri, por pa rrezik për jetët e njerëzve dhe banesave janë në monitorim në bashkinë Tepelenë, pyllin e fshatit Shetaj, në fshatin Manskuri në Durrës. Në fshatin Lukan në Dibër, në bashkinë Mallakastër dhe në fshatin Shelcan në Elbasan.
Në operacionet për shuarjen e flakëve në disa zona të vendit janë angazhuar mbi 500 efektivë të Forvace të Armatosura, të cilët vijojnë pa u lodhur punën nga toka dhe nga ajri.


