Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në mesnatë ka përfunduar procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është 90.860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është 18.244”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi bëri të ditur se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë 27 dhjetorit dhe më pas KQZ-ja do të ketë një raport përfundimtar për numrin e qytetarëve të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Në këto zgjedhje, shtetasit e Kosovës jashtë vendit do të mund të votojnë edhe në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Ku do të mund të votojnë emigrantët e Kosovës?
Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Zvicër.
Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë për herë të parë janë përfshirë edhe shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë dhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ata janë rreth 550.000 persona.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008./ REL


