Qeveria e Kosovës ngriti shqetësime për mënyrën se si funksionojnë Dhomat e Specializuara në Hagë, pas shpalljes së vendimit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në çështjen për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në reagimin e publikuar të martën, ekzekutivi i Kosovës theksoi se respekton pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e tij, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të kritikojë mënyrën se si zhvillohen proceset gjyqësore.
Qeveria bëri të qartë se nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Dhomave të Specializuara, duke ngritur sërish shqetësime për mungesën e transparencës, respektimin e të drejtave të palëve dhe garantimin e një gjykimi të drejtë.
“Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”, thuhet në deklaratën e qeverisë.


