Nënë e bir, Salke dhe Olsi Hoxhallarit, u është dhënë lamtumira e fundit në heshtje dhe lot, në praninë e një numri të paktë njerëzish, dhe në praninë e punonjësve të policisë.
Ndërsa dy viktimave u janë bërë nderimet e fundit, vdekja e tyre vazhdon të mbetet ende enigmë. Policia e Vlorës bën të ditur se po mban të shoqëruar pesë persona, që kanë lidhje me ngjarjen e rëndë, ndërsa një i gjashtë është shpallur në kërkim.
Grupi hetimor beson se 72-vjeçarja dhe djali i saj, 41 vjeç, janë goditur me mjete të forta dhe më pas i është vënë zjarri banesës për të humbur gjurmët.
Ndërsa fakti që në dhomë është gjetur e paprekur një shumë prej 3 mijë eurosh, përjashton faktin e vrasjes me qëllim grabitjen.
Lidhur me personin e shpallur në kërkim, identiteti i të cilët nuk bëhet i ditur, burime të policisë sqarojnë se është një nga pjesëmarrësit në ngjarjen e së dielës në Vlorë, duke lënë të kuptohet se autorët janë disa persona. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për ndonjë person familjarë të të dy viktimave apo banor i zonës përreth.
Sipas Policisë, shënjestër e sulmit ka qenë Olsi Hoxhallari, ndërsa më pas është qëlluar dhe nëna e tij.
Gjatë ekspertizës së kryer, Policia ka gjetur dhe gjurmë gjaku në vendin e ngjarjes, ndërsa fakti se 41-vjeçari ka qenë shënjestër, lidhet me faktin se ky i fundit është sulmuar në kokë dhe epiqendra e vendosjes së flakëve ka qenë pikërisht në vendin ku u gjet.
Ndërsa nëna e tij, sipas Policisë, ka gjetur vdekjen si pasojë e dhunës, pasi nuk ka djegie në trup.
Informacionet dhe burimet nga Policia e Vlorës kanë konfirmuar se hetimet vijojnë, ndërsa ende nuk ka një pistë konkrete për ngjarjen e rëndë të humbjes së jetës së Olsi dhe Salke Hoxhallari në lagjen “1 Maji”, të qytetit të Vlorës.
Ndërkohë, mes pesë personave, që po mbahen të shoqëruar në Polici është dhe bashkëshortja e 41-vjeçarit. Burime të Policisë së Vlorës kanë konfirmuar se bashkëshortja e viktimës është marrë në pyetje për të dëshmuar nëse ka dëgjuar zhurma apo edhe rreth dinamikës së ngjarjes në momentin, kur edhe ka gjetur trupat e pajetë.
Policia konfirmon se bashkëshortja e tij ka deklaruar se nuk ka dëgjuar zhurmë, ndërsa i ka gjetur në dhomën që nxirrte ende tym nga flakët, kur edhe ka njoftuar komshinjtë dhe Policinë.
Sa i përket deklaratave që mund të ketë dhënë kunata, Policia nuk jep shumë detaje, ndërsa mësohet se është pyetur rreth faktit nëse kanë pasur konflikte, dhe nëse ka vërejtur ndonjë gjë të dyshimtë gjatë natës që ndodhi ngjarja.
Policia, edhe gjatë ditës së hënë ka mbajtur nën mbikëqyrje vendin ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa grupi hetimor dhe ekspertiza kanë vijuar punën për të gjetur gjurmë apo ndonjë send të dyshimtë, që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes apo dhe shkakut.
Për momentin, ngjarja ku humbën jetën dy persona, fillimisht duke u vrarë dhe më pas djegur, mbetet ende e dyshimtë, ndërsa nuk ka ende një pistë konkrete, teksa pritet që të vijohet edhe me shoqërimin e personave të tjerë.
Olsi Hoxhallari dhe familja e tij jetonte prej 15 vitesh në Vlorë, ndërsa në shtëpinë pranë jetonte vëllai i tij, Dagu Hoxhallari, i cili aktualisht ndodhet në burg për vjedhje.
Policia nuk konfirmon nëse një borxh i vjetër mes dy familjeve mund të jetë edhe një nga pistat e hetimit për ngjarjen, por as nuk e ka përjashtuar diçka të tillë.
Banorë të zonës, të cilët jetojnë shumë pranë tyre, një zonë e cila në Vlorë banohet kryesisht nga të ardhur nga Korça, tregojnë se familja Hoxhallari nuk ka paraqitur asnjëherë probleme, ndërsa nuk kanë dëgjuar që dy vëllezërit të kenë pasur konflikte.
Ata bëjnë me dije se Olsi jetonte kryesisht në Greqi dhe vetëm pak kohë më parë kishte ardhur pranë familjes së tij.


