Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatin e hetimeve për vrasjen e Pavlin Prekës, ndërsa vijon puna për mbledhjen e provave dhe sqarimin e plotë të rrethanave të krimit.
Nga hetimet e deritanishme, autoritetet dyshojnë se ngjarja është organizuar dhe realizuar nga disa persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Në fokus të hetimit janë tre të dyshuar, për të cilët prokuroria pretendon se kanë pasur role në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes.
Sipas pistës kryesore të hetimit, konflikti që çoi në ngjarjen e rëndë lidhet me një çështje personale dhe kundërshtimin e familjarëve për një marrëdhënie që viktima kishte me vajzën e njërit prej të dyshuarve. Hetuesit po analizojnë edhe elementë të tjerë që mund të kenë ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit.
Prokuroria ka vlerësuar se nevojiten veprime të tjera hetimore, përfshirë përfundimin e disa ekspertizave, marrjen e dëshmive nga persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe verifikimin e provave të administruara deri më tani.
Në përfundim të këtyre veprimeve, grupi hetimor pritet të dalë me një përfundim përfundimtar mbi përgjegjësitë e personave të dyshuar dhe rrethanat e plota të vrasjes.


