Pak ditë përpara se Prokuroria e Posaçme të lexojë konkluzionet përfundimtare për mamanë e ish deputetës Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, kjo e fundit i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë.
Fatime Kryemadhi kërkon nga shkalla e tretë e gjyqësorit prishje të vendimit të GJKKO për mospranimin e kërkesës së saj lidhur me shpalljen e moskompetencës lëndore nga kjo gjykatë për çështjen penale për të cilën ajo është marrë e pandehur për pastrim parash, dhe kërkon të gjykohet në Gjykatën Penale të shkallës së parë Tiranë.
Rekursi është regjistruar dy ditë më parë në Gjykatën e Lartë dhe Ilir Panda do të jetë relatori i çështjes, që së bashku me dy anëtarë të tjerë do të shqyrtojnë në dhomë këshillimi pretendimet e Kryemadhit dhe më pas do të vendosin mbi këtë rekurs, për pranimin ose rrëzimin e tij.
Fatime Kryemadhi është marrë e pandehur për veprën penale pastrim parash, me dyshimet se ajo ka ndihmuar ish çiftin Meta Kryemadhi të pastronin paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme.
SPAK thotë se ajo ka pastruar rreth 645 mijë euro në kuadër të një skeme të mirëfilltë korruptive që përfshinë vajzën dhe ish dhëndrin e saj, që mbahet në paraburgim që prej muajit tetor të vitit 2024.
Mamaja e ish deputetes, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho po gjykohen me procedurë të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme dhe pritet që në 13 korrik SPAK të lexojë pretencën për të tre ata, ndërkohë Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta vijojnë gjykimin me procedurë të zakonshme pasi kanë pretendime lidhur me provat e prokurorisë së posaçme.
Ndaj të dyve, struktura e posaçme ka ngritur akuzat korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim pasurie.


