Mes killerit me pagesë Dritan Sheme dhe njërit prej vëllezërve Çapja në Elbasan dhe më konkretisht Sokolit,është lidhur një kontratë vdekje, ku qëllimi ka qënë eleminimi fizik i Rezart Çelës, i cili në vitin 2005, po mbante shtrënguar Sokol Çapjen, për shumë makineta bixhozi në Qarkun e Elbasanit, të cilat në fakt ishin në pronësi të një italiani të quajtur, Paolo Mazzuco. “Kontrata e vdekjes” është lidhur me një vlerë 30 mijë euro, ku fillimisht Sokol Çapja ka dhënë një pagesë prej 15 mijë euro paradhënie dhe diferenca tjetër prej 15 mijë euro, do të merej sapo Dritan Sheme, të kishte çuar deri në fund punën e marë përsipër, vrasjen e Rezart Çelës. Sheme, si një killer profesionit, ekzekuton në tetor 2005 Rezart Çelën, dhe pas disa ditësh paraqitet tek Sokol Çapja, për të kërkuar diferencën prej 15 mijë euro.Mirëpo Sokoli, pasi u lirua nga Rezart Çela, ka hyrë në një gjendje euforie dhe nuk donte t’ia jepte kusurin e shumës së rënë dakord me Dritan Shemen. Sokol Çapja, duke qenë i influencuar nga Kamer Mehja, i cili i thoshte Sokolit se nuk duhej të kishte frikë nga Dritan Sheme, i thoshte tekstualisht: “…nuk duhet të kesh frikë nga Dritani, i cili është i gjatë një metër e gjysmë, kurse ti je dy metra…”.Kontrata e vdekjes mes Shemes dhe Çapjat është shpjeguar nga Elton Mema, djali i Fadil Memës, i cili është pyetur nga prokurori Ritvan Suka në 14 shkurt 2019 në ambjentet e gjykatës së Torinos, në prani të kolonelit italian Paolo Palazzo dhe Antonio Nicolletta dhe prokurorit Italian, Cezare Parodi. Në dëshminë e tij të gjatë, Mema shpjegon përplasjen që patën me njerëzit e deputetit të PD Aurel Bylykbashi gjatë fushatës dhe lidhjen e Bylykbashit me anëtarët e fisit Çapja në Elbasan. Në dëshminë që Elton Mema ka dhënë, tregohet qartë se ngatëresa me çapjat ka ndodhur pikërisht kur babai i tij, donte të festonte ditëlindjen e d0-të, në lokalin e tyre “Univers”,ku Çapjat e kushtëzuan se nuk e donin prezencën e kushëririt tonë Dritan Sheme në lokal. Ndërkohë pritet që këto ditë Florenc Çapja dhe të arrestuarit e tjerë të AMA, të dalin para gjykatës së Apelit Durrës, ku treshja e gjyqtarëve është Valbon Çekrezi, Dritan Hamitaj dhe Arjan Balliu.
Pyetje e prokurorit: Në lidhje me tentativën e vrasjes në ngarkim të babait tuaj, që ndodhi më 30 janar 2006, ju për çfarë jeni në dijeni?
Përgjigje: Në atë periudhë gjendesha në Itali, ku kisha hyrë më 12 Maj 2005, pas zgjedhjeve në Shqipëri, në të cilat babai im ishte kandidat, por me rezultat negativ, pasi ka fituar Partia Demokratike. Në rastin specifik, ka fituar kandidati Aurel Bylykbashi. Gjatë fushatës elektorale, kam pasur një diskutim, konfliktuar me shoferin e Bylykbashit, për faktin që ky kishte publikuar një poster të Aurel Bylykbashit pranë atij të babait tim, përkundrazi, kam qenë unë që e kam vendosur posterin e babait tim pranë atij të Bylykbashit. Ndërkohë që gjendesha mbi një shkallë që përdorej për të ngjitur posterin e babait tim,më ka ardhur shoferi në fjalë, i cili më ftoi të heq posterin e babait tim. Nuk mbaj mend datën në të cilën ka ndodhur kjo. Secili hipi në bordin e makinës së tij dhe unë ndërkohë thirra babanë tim, i cili gjendej në brendësi të një bari pranë stacionit të trenit të Elbasanit, lokal që në atë periudhë ai e përdorte për të takuar elektoratin e tij. Në atë moment babai im ishte në shoqërinë e një kushëriri nga ana e mamasë,me emrin Dritan Sheme. Babai im i preu rrugën shoferit të Bylykbashit, duke u pozicionuar pranë derës së makinës, nga ana e shoferit, duke e pyetur këtë të fundit se “…cili ishte keqkuptimi midis teje dhe djalit tim Elton…?”. Në atë rrethanë, zbresin nga makina ime disa miq të mi, të lagjes sonë dhe këta i zbresin nga makina e tyre si shoferin e Bylykbashit, ashtu edhe pronarin e kapanonit. Në atë rrethanë, djemtë që zbritën nga makina ime, kanë goditur me grushta si shoferin, ashtu edhe pronarin e kapanonit. Në atë moment Dritan Sheme, kur ka parë se bëhej fjalë për një situatë zënieje, ka mbushur pistoletën e tij me disa plumba. Babai im, pasi pa veprimin e mbushjes së pistoletës së Dritanit, ka kërkuar të bllokojë këtë të fundit për ta bërë të arsyetonte, duke i thënë se “…ata nuk kishin ardhur që të ziheshin, sepse nëse ti e bën një gjë të tillë bëhet skandal publik…”.Pasi babai im arriti të bllokonte Dritanin, shoferi i Bylykbashit ka kërkuar të ikte duke vrapuar.
Njëri nga djemtë me emrin Afrim, donte të godiste shoferin e Bylykbashit me levën e bllokut të timonit. Kur Afrimi ka bërë veprimin e goditjes, unë arrita të bllokoj Afrimin. Pas këtij momenti, ne e kemi lënë që të shkonte dhe pas zgjedhjeve, nuk e mbaj mend mirë, më 10 ose më 11 korrik 2005, përfundimi ishte që fitoi Bylykbashi.Ndërkohë që prisnim përfundimin e rezultatit të zgjedhjeve në pallatin e sportit në Elbasan dhe pas shpalljes së fituesit, i cili ishte Bylykbashi, njëri prej miqve tanë dhe saktësisht po vetë Afrimi, i cili kërkoi të godiste shoferin e Bylykbashit, ka filluar të kërcejë në ajër nga gëzimi, për faktin që Bylykbashi kishte fituar zgjedhjet. Në atë moment jam ndier keq nga hipokrizia e personave, sepse deri në përfundimin e zgjedhjeve, ky person bënte tifo për ne dhe kur fitoi Bylykbashi, kaloi menjëherë në anën e tij. Atje vendosa që të lë Shqipërinë, dhe në një kohë të shkurtër, vendosa të largohem nga Shqipëria. Kam mbërritur në Itali, kur isha 19 vjeç dhe fillimisht kam mbajtur kontaktet me mikun tim në Shqipëri, me emrin Dritan dhe mbiemrin mbase Shpati, për t’i dhënë urimet e Krishtlindjeve, pasi ai është katolik.
Duke i bërë pyetje me karakter të përgjithshëm, gjatë telefonatës, më dha lajmin se kishin vrarë Sokol Çapjan. Dua të saktësoj se në një telefonatë të mëparshme, po vetë Dritani më kishte njoftuar edhe për faktin se kishin vrarë Rezart Çelën.
/AlpeNews.al