Në Gjykatën më të rëndësishme në vend, ka mbetur me mandat vetëm një gjyqtar, Gani Dizdari, nga 9 që duhet të ketë e gjithë trupa.
Me goditjen e anëtares Altina Xhoxhajt nga veprimi i ligjit të Vetingut, Gjykata Kushtetuese mbetet me tre anëtarë, në pamundësi për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, pas konstatimit të pasurisë së paligjshme, pritet që të zyrtarizojë brenda kësaj jave përjashtimin e zonjës Altina Xhoxhaj nga sistemi i drejtësisë.
Ky vendim i paralajmëruar ditën e djeshme çon në bllokimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Me largimin e pritshëm të anëtares Altina Xhoxhaj, Gjykata Kushtetuese mbetet me katër anëtarë, konkretisht Bashkim Dedja, Vitore Tusha, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari.
Mandati:
Por, anëtares Vitore Tusha, e vetmja gjyqtare që deri më sot i ka shpëtuar lakut të Vetingut, i ka mbaruar mandati.
Tusha është emëruar në Gjykatës Kushtetuese në mars 2008, ndërkohë që sipas Kushtetutës mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese është 9 vjet. Gjithashtu, është ndaluar me ligj që anëtari i Gjykatës Kushtetuese të emërohet për një mandat të dytë.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese ka vetëm tre anëtarë me mandat të ligjshëm, anëtarë të cilët nuk dihet nëse do t’i shpëtojnë skanimit të trefishtë të Vetingut. Kushtetuesja përbëhet nga 9 anëtarë, dhe që kjo gjykatë të mblidhet dhe të marrë vendime, duhen të paktën 5 anëtarë.
Ndërkohë që edhe Dizdari pritet t’i nënshtrohet Vetting-ut. Procesi i skanimit të trupës së Kushtetueses ka larguar 3 gjyqtarë, ndërkohë që Besnik Imeraj ka dhënë dorëheqjen. Për shkak të kësaj situate, prej javësh Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, në pritje të emërimit të anëtarëve të rinj.
Kush janë 3 gjyqtarët e larguar:
Anëtari Besnik Imeraj dha dorëheqjen për t’i shpëtuar procesit të Vetingut.
Edhe anëtari tjetër, Fatos Lulo mbeti në rrjetën e Vetingut, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.

AlpeNews.al






