Qindra njerëz u mblodhën në Moskë për të nderuar Darya Dugina, vajzën e vrarë të një prej mbështetësve më të shquar nacionalistë të Rusisë, duke e përshëndetur atë si një martire. Vdekja e vajzës së Alexander Dugin cilësohet si hakmarrje për luftën në Ukrainë.
Dugina, vajza e ultra-nacionalistit u vra të shtunën gjatë një sulmi me bombë në makinë në periferi të kryeqytetit rus. Moska ka akuzuar agjencitë e inteligjencës ukrainase për organizimin e vrasjes së saj, një pretendim që Kievi e ka mohuar.
Babai i saj, Dugin, 60 vjeç, i cili për dekada nxiti krijimin e një shteti të ri rus që do të aneksonte territorin e vendeve duke përfshirë Ukrainën, iu tha pjesëmarrësve në ceremoni se vajza e tij “vdiq për njerëzit, vdiq për Rusinë”.
“Çmimi i madh që duhet të paguajmë mund të justifikohet vetëm nga arritja më e lartë, fitorja jonë,” tha Dugin në një fjalim emocionues. “Ajo jetoi për hir të fitores dhe vdiq për hir të fitores. Fitorja jonë ruse, e vërteta jonë, besimi ynë ortodoks, shteti ynë”. Një portret i madh bardh e zi i Duginës, e cila thuhet se ishte e afërt me babain e saj dhe punonte si analiste në mediat nacionaliste, ishte varur në një mur pas arkivolit të saj.
Vdekja e Dugina-s të shtunën mbrëma u pasua nga thirrje nga elita politike e Moskës për sulme të reja ndaj Ukrainës , duke rritur frikën nga ana e Kievit për konflikte në shtim në ditën e pavarësisë së Ukrainës që është nesër. Shërbimi federal rus i sigurisë (FSB) tha të hënën se një grua shtetase ukrainase, e cila mbërriti në Rusi në fund të korrikut me vajzën e saj 12-vjeçare, qëndronte pas vrasjes së Dugina-s. FSB tha se pas vrasjes, gruaja dhe vajza e saj u larguan përtej kufirit në Estoni. Ukraina ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e Kievit në këtë ngjarje, ndërsa e ka cilësuar si provokim.


