4 vjet e 8 muaj burg do të vuajë 55 vjeçari nga Velçani i Pogradecit që përdhunoi dhe la shtatëzanë fqinjen e tij të mitur. Ai përfitoi ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar ndërsa analiza e ADN së foshnjes së ardhur në jetë e detyroi të pranojë fajësinë. Në seancën ku mësoi dënimin, 55- vjeçari i kërkoi ndjesë familjes fqinje dhe familjes së tij.
Gjykata e Korçës dënoi me 4 vjet e 8 muaj burg, Ligor Bibën, 55 vjeçarin që përdhunoi dhe la shtatëzanë fqinjen e tij atëherë 15 vjeçe.
Ngjarja u denoncua publikisht në tetor të vitit 2017 dhe Biba përfundoi në pranga.
Prokuroria e Korçës kishte kërkuar 8 vjet burg për Bibën, i cili fillimisht mohoi akuzat, por analizat e ADN-së provuan atësinë e foshnjes së ardhur në jetë, ndaj ai ndërroi dëshminë në gjykatë duke pranuar fajësinë, por sërish ngulmoi se nuk bëhej fjalë për përdhunim.
Ligor Biba: E pranoj fajësinë. Kam qenë në kasolle ditën kur vajza me ka ardhur në mëngjes. Isha i dehur dhe nuk kam bërë asgjë me dijeni. Marrëdhënia ka qenë me dëshirën e vajzës. Nuk e kam përdhunuar. Nuk e dija që vajza kishte mbetur shtatëzënë. Jam bërë pishman. Nuk mbaj mend sepse kam qenë i dehur. I kërkoj falje familjes se vajzës dhe familjes time.
Biba ka marrë dënimin nga gjykata 4.8 heqje lirie.
Pas shqyrtimit të çështjes gjykata e Korçës e dënoi 55 vjeçarin Biba me 7 vjet burg, por ai përfitoi ulje 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dhe përfundimisht do të vuajë 4 vjet e tetë muaj burg.
15 vjeçarja e abuzuar e ka lënë fëmijën e ardhur në jetë në shtëpinë e foshnjes në Tiranë, ndërsa gjatë muajve të procesit gjyqësor ndaj 55 vjeçarit familja e saj në fshatin e Pogradecit ka denoncuar shpesh herë në media, presione të pretenduara nga ana e familjes së Ligor Bibës.


